Nga Denis Dyrnjaja
Në Shqipëri, politika nuk është thjesht skena ku takohen idetë, programet apo përplasjet ideologjike. Sot ajo është, mbi të gjitha, një fushë tensioni mes tre realiteteve që përplasen çdo ditë, krizës së përfaqësimit, sfidës së integritetit dhe paaftësisë për t’u shndërruar në instrument të vërtetë zgjidhjeje.
Së pari, përfaqësimi politik është zbehur. Partitë, të ngritura si ura mes qytetarëve dhe pushtetit, janë shndërruar në struktura të mbyllura ku elitat politike riprodhojnë veten. Vendimet merren lart, listat caktohen lart, dhe qytetari mbetet spektator. Kjo mospërputhje ka prodhuar një demokraci formale, ku procedurat ndodhin, por substanca mungon. Përfaqësimi sot nuk matet më me vota të përfaqësimit personal.
Së dyti, politika shqiptare ndodhet mes kërkesës në rritje për integritet dhe rezistencës së vazhdueshme ndaj tij. Shoqëria kërkon standarde, që politikanët të jenë të pastruar, të përgjegjshëm, të kontrolluar. Këtu qëndron çarja e madhe, qytetarët kërkojnë llogaridhënie, ndërsa politika shpesh kërkon mbijetesë.
Së treti, politika e sotme nuk po funksionon si instrument zgjidhjeje, por si mekanizëm vetëmbrojtjeje. Në vend të adresimit të problemeve strukturore, shërbimeve publike, ekonomisë reale, administratës, emigracionit të vazhdueshëm, energjia konsumohet në luftëra deklarative, komunikim agresiv dhe menaxhim imazhi. Vendimmarrja shpesh është reaktive, jo vizionare, konjukturale, jo strategjike. Politika ka më shumë zhurmë sesa punë, më shumë propagandë sesa rezultate.
Prandaj politika sot në Shqipëri është, në thelb, një arenë përplasjeje mes të vjetrës që reziston dhe të resë që nuk po gjen mënyrën si të bëjë ndryshimin, mes kulturës së mbyllur të pushtetit dhe kërkesës për integritet, mes përfaqësimit të simuluar dhe nevojës për përfaqësim real, mes improvizimit të përditshëm dhe domosdoshmërisë së vizionit afatgjatë.
Në këtë udhëkryq, pyetja nuk është më kush e bën politikën, por çfarë duhet të jetë politika,një profesion shërbimi, jo privilegji, një mekanizëm zgjidhjeje, jo makineri pushteti, një hapësirë integriteti, jo terren kompromisi moral.
Në këtë pikëpamje, politika shqiptare duhet të mos jetë më si piramidë besnikërish ndaj atyre që emërojnë, por si shërbim ndaj qytetarëve. Vendi nuk ka nevojë më për politikanë që mbrojnë pozitat e tyre, por për përfaqësues që mbrojnë interesin publik, jo më për figura që i përgjigjen partisë, por për njerëz që i përgjigjen përgjegjësisë. Vetëm kur politika të çlirohet nga logjika e klientelës dhe të përqafojë integritetin, transparencën dhe llogaridhënien si detyrim moral, ajo mund të bëhet instrument zhvillimi, jo mekanizëm mbijetese. Ky është transformimi që vendi pret. E bëjmë dot?!







