Ballina Kronika Grabitja e kambistit Astrit Ademi dhe dy atentate ndaj Aredin Beharit, dëshmojnë...

Grabitja e kambistit Astrit Ademi dhe dy atentate ndaj Aredin Beharit, dëshmojnë ‘viktimat’ e ‘Plumbit të Artë’

85
0

Dëshmitë e tre ngjarjeve të rënda  grabitja e kambistit Astrit Ademi në vitin 2013, plagosja dhe grabitja e Xhemali Liçit në Elbasan në 2012, si dhe dy atentatet e dështuara ndaj Aredin Beharit në Fier në vitet 2017 dhe 2019 po vënë sot në pikëpyetje një pjesë të dosjeve të operacionit “Plumbi i Artë”. Vetë personat e dëmtuar kanë deklaruar në gjykatë versione që jo vetëm kundërshtojnë njëra-tjetrën, por përplasen drejtpërdrejt me pretendimet e Prokurorisë për numrin e autorëve, mënyrën e sulmit dhe shumën e parave të grabitura.

Në rastin e kambistit Astrit Ademi, Prokuroria detyrohet të kundërshtojë deklarimet e tij për personat e maskuar dhe shumën e vjedhur, ndërsa tek grabitja e Xhemali Liçcit, dëshmitarët nuk identifikojnë asnjë autor dhe nuk lidhin asnjë prej emrave të hetimit me ngjarjen. Ndërkohë, dëshmia më tronditëse vjen nga Aredin Behari, i cili thotë qartë se ka “dyshime të forta” për vëllezërit Ardian dhe Albert Pashaj, me të cilët ka patur konflikt pronësie, duke i akuzuar ata si autorë të dy atentateve – dyshime që për vite me radhë nuk janë hetuar seriozisht.

Përplasja mes deklarimeve të viktimave dhe versionit të Prokurorisë ngre sot dyshime të hapura për mënyrën si janë ngritur disa nga dosjet e “Plumbit të Artë”, për mungesën e identifikimeve të sakta dhe për emrat që nuk janë përfshirë kurrë në hetim, megjithëse viktimat i kanë përmendur drejtpërdrejt.

Astrit Ademi: Në vitin 2013 punoja kambist në rrugë. Kam qenë vetëm në një varrezë makinash në Marikaj, aty ku punoja. Ishte edhe një roje, një burrë i vjetër. Më morën lekët që kisha në makinë. Nuk pash njeri dhe nuk njoha asnjë person. Ishin njerëz të maskuar, erdhën me një Benz të vjetër. Pash vetëm një person, nuk e di sa ishin në total. I pashë kur më erdhën përballë, nuk e njoh se kush ishte. Më tha “mos lëviz”. E falenderoj që nuk më bëri asgjë; mund edhe të më vrisnin. Më mori disa lekë, nuk mbaj mend sa ishin, kanë kaluar vite. I thashë të urdhëronte çelsin e makinës, që të mos e thyenin. Mua dhe rojes na kontrolluan xhepat. Më morën rreth 30 mijë euro që kisha në makinë. Në xhep kisha edhe dy mijë euro. Unë për një çerek ore nuk ngrita kokën dhe nuk i pash fare as kur u larguan. Një person mori një balestër nga toka dhe më tha “mos lëviz”. Poshtë sediljes së shoferit kisha një marsup të vogël dhe pak lekë në bagazh.

Prokuroria kundërshton pjesërisht dëshminë e Admit. Më herët ai kishte deklaruar se kishin qenë tre persona të maskuar dhe të armatosur.

Citohet nga dëshmia: “Njëri prej tyre na tha ‘mos lëvizni se ju vrava’ dhe mbante në dorë një kallashnikov.”

Prokuroria kundërshton edhe shumën e parave: “Na kontrolluan xhepat dhe mua më morën 7 mijë euro që kisha. Personi që drejtonte automjetin hapi bagazhin dhe më mori 9 mijë euro dhe 760 mijë lekë të reja.”

Episodi: grabitja e kambistit Xhemali Liçci, Elbasan, 2012

Dëshmitari 2, Bardhyl Zeneli: Xhemali Liçcin e njoh. Në vitin 2012 kam punuar në një shkollë, ndërsa Xhemaliu kishte një dyqan të vogël aty pranë. Dëgjova një moment të bërtiste: “O më vranë”. U mblodhëm për t’i dhënë ndihmën e parë; ai ishte te një shtyllë aty pranë, i dëmtuar në qafë dhe i gjakosur. Nuk kthente përgjigje kur e pyesja se çfarë ndodhi. Të gjithë komshinjtë u mblodhën aty, por nuk morëm vesh gjë konkrete për ngjarjen. Më vonë mora vesh se i kishin vjedhur lekët, më njoftoi një roje e gjimnazit. Policia erdhi shpejt dhe na pyeti. Ngjarja ndodhi më 19.12.2012. Unë isha brenda një klase në shkollë, ku na thërrisnin për të riparuar kufjet që përdornin fëmijët. Pashë katër veta afër Xhemaliut, pasi ai u plagos. Nuk pashë askënd të largohej në vrap, as ndonjë makinë. Policia u njoftua me telefonin fix të sekretarisë së shkollës. Me mbiemër Sharra ka shumë njerëz në Elbasan. Gentjan Sharrën e kam dëgjuar në televizor, por nuk e njoh dhe nuk e kam parë atë ditë në vendin e ngjarjes.

Dy atentatet e dështuara ndaj Aredin Beharit, Fier 2017 dhe 2019

Aredin Behari: Isha ulur në lokal, te Astrit Merkaj në Fier, në katin e parë. Lokali ishte me xhama dhe kishte pamje nga jashtë-brenda. E pashë nga jashtë se shpëtova. Isha ulur me Astrit Merkajn dhe dy persona të tjerë. Ora ishte rreth 19:00-20:00. Në atë kohë kam patur një Ford 2002. Personi nuk hyri në lokal, qëndroi te dera gjysmë e hapur. Nuk hyri sepse u tremb dhe gjuajti direkt nga xhami. Plumbat qëlluan drejt meje; instikti më bëri të ulem poshtë tavolinës dhe shpëtova. U qëlluan katër herë, një plumb kapi cepin e tavolinës, të tjerët goditën murin. Nuk pësova dëmtim fizik. Pastaj lajmërova policinë. Autori u largua menjëherë, kishte trup të gjatë dhe të dobët, ishte me maskë, tuta sportive dhe bluzë me kapuç. Nuk mund të identifikoj se kush ishte. Nuk u pyeta në prokurorinë e Fierit. Policia erdhi dhe i dhashë shpjegime. Te ky lokal unë ulesha gjithmonë, dhe Albert e Ardian Pashaj më shihnin atje. I thashë policisë se dyshoja për ta për shkak të një konflikti pronësie. Pas pesë ditësh ndodhi atentati. Isha i ndërgjegjshëm kush e kishte bërë. Me Ardianin jam takuar pas ngjarjes. Konflikti ishte për një apartament; në Apel fitova gjyqin, por Gjykata e Lartë e riktheu në Apel.

Në nëntor 2019 ndodhi atentati tjetër. Një makinë po ecte ngadalë pranë meje teksa po shkoja në shtëpi; dëgjova të shtënat e kallashnikovit, rreth 3-4 herë, por i shpëtova plumbave. Qëlluan nga sedilja e pasme pa hapur xhamin. Shkova në prokurori dhe përmenda dy emra: “Buzi” dhe një tjetër. Nuk i njihja. Makina ishte ngjyrë bojqielli. Pas kësaj nuk u takova më as me Ardianin, as me Albertin. Deri në vitin 2016 nuk kishim kontakte. Pastaj fitova gjyqin për shtëpinë dhe magazinën. Dyshimi im mbetet që atentatet ishin nga dy vëllezërit. Në 2023 jam falenderues shtetit, sepse dolën dyshimet e mia. Sipas meje, shkaktari është Ardian Pashaj. Albert Pashajt i kam ndërtuar dy shtëpi në Tiranë me paratë e mia.