Ballina Kulturë Serialet turke, një “epidemi” kulturore globale

Serialet turke, një “epidemi” kulturore globale

67
0

Në dy dekadat e fundit, serialet turke janë shndërruar në një dukuri ndërkombëtare që ka pushtuar ekranet televizive në shumë vende të botës. Nga Ballkani në Lindjen e Mesme, nga Amerika Latine deri në Evropën Jugore, miliona njerëz ndjekin çdo ditë historitë për kohën e Sulltanëve, historitë e dashurisë, intrigave dhe dramave familjare turke. Serialet e njohur historik si Sulejmani i madhërishëm apo seriali më i kushtueshëm i të gjitha kohërave, “Osmani “ kanë arritur shifra rekord shikueshmërie. Seriali i njohur “Dashuri e erret” (Kara Sevda) arriti të transmetohet në 110 vende të botës duke u përkthyer në 50 gjuhë të ndryshme. Ky fenomen, që shpesh përshkruhet si një “epidemi” kulturore, ngre pyetjen: pse pikërisht serialet turke kanë arritur këtë ndikim kaq të gjerë?

Një nga arsyet kryesore është fakti që serialet turke prekin tema që janë universale dhe lehtësisht të kuptueshme nga çdo kulturë: dashuria, xhelozia, nderi, tradhtia, sakrifica dhe konflikti midis brezave. Këto emocione janë të përjetshme dhe i flasin çdo njeriu, pavarësisht origjinës apo kulturës së tij. Turqia është një vend që ndodhet ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, dhe ky dualitet shfaqet fuqishëm edhe në prodhimet e saj televizive. Në to gjejmë modernitetin e Stambollit me jetën luksoze dhe ambicie të mëdha, por edhe vlerat tradicionale, si nderi, familja dhe respekti ndaj brezave të vjetër. Kjo përzierje e bën kulturën turke të afërt për shumë vende, si ato të Ballkanit, Lindjes së Mesme apo Amerikës Latine.

Një tjeter faktor është po ashtu industria kinematografike turke e serialeve që është zhvilluar në mënyrë profesionale, me investime të mëdha në skenarë, aktorë dhe xhirime. Serialet janë të gjata, me lokacione mahnitëse dhe prodhim filmik me cilësi të lartë. Përveç kësaj, ato shiten me çmime të përballueshme, por sjellin audiencë të lartë për televizionet që i transmetojnë, ndaj janë fitimprurëse ekonomikisht. Në Ballkan, Lindjen e Mesme dhe disa pjesë të Evropës Lindore, ekziston një trashëgimi e përbashkët kulturore që lidhet me periudhën osmane. Muzika, arkitektura, mënyra e jetesës dhe madje edhe disa fjalë të përbashkëta në gjuhë e bëjnë publikun të ndiejë afërsi me jetën turke që shfaqet në ekrane. Shikuesi shqiptar, kosovar, boshnjak, italian, spanjoll, arab apo rus e gjen veten në mentalitetin e personazheve turke.

Faktori tjetër aktual lidhet me zhvillimin e platformave si Netflix, YouTube apo BluTV, TikTok, Instagram ku serialet turke janë bërë lehtësisht të aksesueshme në çdo cep të botës. Në të njëjtën kohë, aktorët kryesorë janë kthyer në ikona ndërkombëtare, me miliona ndjekës në rrjetet sociale, duke e rritur më tej ndikimin kulturor të Turqisë. Ndërkohë që qeveria turke e ka kuptuar vlerën e serialeve edhe si mjet për promovimin e kulturës dhe ndikimit të saj ndërkombëtar. Nëpërmjet këtyre prodhimeve, Turqia eksporton jo vetëm art, por edhe një imazh pozitiv të vendit, një formë e butë diplomacie që forcon marrëdhëniet me popuj të tjerë.

Fenomeni i serialeve turke nuk është rastësi. Ai është rezultat i një kombinimi të suksesshëm mes emocionit njerëzor, afërsisë kulturore, profesionalizmit kinematografik dhe strategjisë kulturore shtetërore. Në një botë ku njerëzit kërkojnë histori që prekin shpirtin dhe që pasqyrojnë vlera të njohura, serialet turke ofrojnë pikërisht këtë. Prandaj, nuk është çudi që ato janë bërë një “epidemi” e ëmbël kulturore, që vazhdon të përhapet nga Stambolli në çdo cep të globit.