Ballina Aktualitet Air Albania në kolaps, “Turkish Airlines” njofton shitjen e 49% të aksioneve

Air Albania në kolaps, “Turkish Airlines” njofton shitjen e 49% të aksioneve

60
0

Kompania turke “Turkish Airlines” ka njoftuar se do të shesë të gjitha aksionet e saj prej 49% në kompaninë “Air Albania”, duke i dhënë fund partneritetit që nga viti 2018 me linjën ajrore kombëtare të Shqipërisë. Lajmi konfirmohet nga mediat turke, sipas të cilave bordi i drejtorëve të “Turkish Airlines” ka marrë vendimin për t’u larguar, ndërsa ka njoftuar se “zhvillimet e rëndësishme do t’u komunikohen investitorëve në vijim”.

Struktura aktuale aksionare e “Air Albania”-s është 49% “Turkish Airlines”, 41% MDN Investment e biznesmenit Sinan Idrizi, dhe pjesa tjetër e aksioneve janë në pronësi të ALBcontrol. Që prej themelimit, “Air Albania” nuk ka publikuar asnjë pasqyrë financiare në QKB dhe për këtë arsye zyrtarisht nuk dihet asgjë mbi performancën financiare të shoqërisë. Por, referuar të dhënave të bëra publike më herët nga “Turkish Airlines”, kompania ka thelluar më tej humbjet financiare gjatë 2023 dhe borxhet e akumuluara.

Hetime dhe akuza për shkelje kontratash

Situata në kompani është përkeqësuar më tej pas kallëzimit të bërë pak muaj më parë nga kompania amerikane “GAT Aircraft and Engine Leasing Limited”, me bazë në Florida. Amerikanët akuzojnë “Air Albania”-n për shkelje të rëndë kontraktuale në lidhje me qiranë e dy avionëve pasagjerësh të tipit Airbus A320-200, me numra regjistrimi ZA-ASM 36-76 dhe ZA-MMK 49-34, të marra me qira në vitin 2023.

Asnjë avion në pronësi, logo të hequra dhe vonesa në paga

Aktualisht, “Air Albania” nuk zotëron asnjë avion të vetin. Fluturimet vijojnë me avionë të huazuar, një nga “Fly2Sky” dhe një tjetër nga “Dan Air”, duke operuar me një rrjet minimal fluturimesh drejt Stambollit, Ankarasë, Bolonjës, Milanos, Veronës. Gjithashtu, kompania po përballet me vonesa të pagave, probleme serioze të likuiditetit, si edhe vështirësi serioze operacionale. Tashmë, largimi i “Turkish Airlines” dhe njoftimi për shitjet e aksioneve pritet ta thellojë dhe rëndojë më tej kolapsin e kompanisë. /ekofin.al