Prova e re e dorëzuar nga familja e Aleks Nikës për krimin shtetëror të 21 janarit, kaseta me regjistrimin audio të disa komunikimeve në radio të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës, nuk është ekspertuar dot nga laboratorët në Shqipëri.
Burime për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi thonë se laboratorët nuk kanë mundësi teknike për të kryer një ekspertim të tillë, ndaj SPAK i është drejtuar laboratorëve të tjerë jashtë vendit.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga familjarët e të ndjerit Aleks Nika që të tregojnë mënyrën se si është siguruar audio regjistrimi si dhe pajisjen origjinale me të cilën është bërë regjistrimi, pasi kaseta e dorëzuar në SPAK është kopjo.
Në materialin audio dëgjohet Ndrea Prendi, komandanti i atëhershëm i gardës, që jep urdhër të hapet zjarr luftarak mbi protestuesit, pra jo më plumba manovër.
Audioregjistrimi që flitet se është 34 minuta është bërë nga një person që ka pasur akses në komunikimin e një kanali të konsideruar të sigurt që përdorej nga drejtues të lartë të Gardës, i cili ka regjistruar komandat dhe urdhrat e dhëna në momentet kur u vranë 4 protestuesit e paarmatosur para kryeministrisë të drejtuar nga Sali Berisha në atë kohë.







