Ballina Kulturë Ekspozohen thesaret e Bibliotekës/ Misha: ka libra mjaft të rrallë, mjaft të...

Ekspozohen thesaret e Bibliotekës/ Misha: ka libra mjaft të rrallë, mjaft të rëndësishëm në historinë botërore të kulturës.

58
0

“Koleksioni i Biblave”, pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare, ofron një udhëtim të rrallë në botën e librave të shenjtë dhe dorëshkrimeve që kanë shënuar shekuj kulture. Ekspozita, e cila do të çelet mbasditen e kësaj të mërkure, sjell për herë të parë pranë publikut një numër mbresëlënës Biblash të rralla, të shtypura në Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e gjetkë, nga mesi i shekullit XV deri në shekullin XIX, së bashku me dorëshkrime me pjesë të Shkrimeve të Shenjta.

“Është një koleksion i jashtëzakonshëm. Këtu janë të ekspozuara 452 bibla. Është një thesar që pak njihet dhe që duhet njohur, sepse është pasuri e të gjithë neve.”, thotë për “Report TV”, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha.

Ky koleksion i madh biblash vetëm sa e shton kuriozitetin për këdo që do të vizitojë ambientet e bibliotekës kombëtare e cila e ka arkivin plot me libra të rrallë të të gjithë epokave..

Ekspozita ndahet në dy pjesë.

“Pjesa e parë është koleksion i përgjithshëm me Bibla nga vende të ndryshme që fillon që në vitet 1400- 1450 deri në shekullin e XIX. Përgjithësisht ka libra mjaft të rrallë, mjaft të rëndësishëm në historinë botërore të të kulturës. Pjesa e dytë që është më konkrete afër nesh ka të bëjë me historikun e përkthimit të Biblës në shqip ose shkrimeve të shenjta në shqip.”, shpjegon Misha.

Në ekspozitë gjenden bibla nga përkthimet prej Buzukut, Budit e Bogdanit, mandej rilindësve dhe figurave të mëdha, si: Kristoforidhi, Qiriazi, Fan Noli e Dom Simon Filipaj, deri tek përpjekjet e Shoqërisë Biblike Angleze në shekullin XIX. Kjo ekspozitë ndërthur një sërë elementësh, nga historia te kultura apo trashëgimia gjuhësore e fetare që dhe për njerëzit e sotëm laikë janë të rëndësishëm.