Ballina Europë Grabitje si në filma/ Vodhi mbi 1 mln euro bizhuteri, arrestohet shqiptari...

Grabitje si në filma/ Vodhi mbi 1 mln euro bizhuteri, arrestohet shqiptari në Madrid

65
0

Policia Kombëtare e Spanjës ka arrestuar autorin e dyshuar të vjedhjes së 2.200 bizhuterive, të vlerësuara mbi një milion euro, të kryer gjatë ndërprerjes së energjisë elektrike më 28 prill në argjendarinë “José Luis” në qendrën tregtare Plaza Norte 2, në San Sebastián de los Reyes (Madrid).

Hajduti përfitoi nga rënia e rrjetit elektrik, e cila e bëri të papërdorshme bravën elektronike të dhomës ku ruheshin bizhuteritë.

I arrestuari, një 33-vjeçar shqiptar, u ngjit në çatinë e qendrës tregtare dhe bëri disa prerje në shtresën pikërisht sipër argjendarisë. Nga aty hoqi panelet derisa arriti në një korridor të brendshëm që lidh dyqanet mes tyre. Pasi bëri hapje të tjera, arriti të hynte në pjesën e pasme të dyqanit.

Pasi u fut brenda, qëndroi i fshehur në ambientet e brendshme të biznesit. Me ndihmën e një kaçavide, hapi me kujdes vitrinat e ekspozitorëve pa i thyer dhe vodhi të gjitha bizhuteritë që ndodheshin aty, përfshirë një koleksion ari të bardhë me diamante. Në total, mori 2.200 bizhuteri të vlerësuara mbi një milion euro.

Hetimet bënë të mundur identifikimin e automjetit me të cilin ishte larguar nga qendra tregtare. I dyshuari e kishte blerë makinën e dorës së dytë disa muaj më parë. Ditën pas vjedhjes, ai u nis për jashtë vendit dhe u shpëtoi gjurmëve duke hequr qafe mjetin.

Vazhdimi i hetimeve bëri të mundur zbulimin se ai kryente shpesh hyrje-dalje nga Spanja, duke përdorur identitete të ndryshme për t’i shpëtuar policisë dhe drejtësisë. Më në fund, më 22 tetor u lokalizua në territorin spanjoll dhe u arrestua si autor i dyshuar i një vjedhjeje me thyerje. Pas daljes në gjykatë, u urdhërua futja e tij e menjëhershme në burg.

Në momentin e arrestimit, ai kishte me vete rreth 3.000 euro para cash, prejardhjen e të cilave nuk mundi ta justifikonte, si dhe një nga bizhuteritë e vjedhura, të cilën e mbante varur në qafë./EL MUNDO