Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi ndikimin mjedisor dhe shëndetësor të aktivitetit të shfrytëzimit të naftës dhe gazit në zonën Patos–Marinëz zbuloi se mungon plotësisht një raport shëndetësor për situatën në këtë zonë.
Instituti i Shëndetit Publik ka në dispozicion vetëm një dokument të vitit 2015, i cili lidhet me shpërthimin e një gazi natyror në fshatin Marinëz si pasojë e punimeve të një kompanie naftënxjerrëse, ndërsa përtej këtij rasti të izoluar nuk është kryer asnjëherë një studim i posaçëm për gjendjen e përgjithshme shëndetësore të banorëve në Patos–Marinëz apo në vendburime të tjera të naftës dhe gazit.
I pyetur për sëmundjet që lidhen potencialisht me ndotjen e ajrit nga nafta dhe gazi, ISHP sqaron se ekspozimi ndaj ndotësve urbanë, në varësi të kohëzgjatjes dhe përqendrimeve, ndikon në shfaqjen e sëmundjeve respiratore, kardiovaskulare dhe malinje, duke theksuar se flitet për “ndikim” dhe jo gjithmonë për lidhje të drejtpërdrejtë shkak–pasojë, pasi studimet mjedisore janë komplekse dhe varen nga faktorë predispozues, mundësues dhe përkeqësues sipas klasifikimit ICD-10.
Pikërisht ndaj këtyre patologjive, veçanërisht sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekjeve të parakohshme të lidhura me to, auditi i KLSH-së përqendroi vëmendjen për të kuptuar se çfarë po ndodh me komunitetet që jetojnë pranë puseve, gropave ekologjike dhe rrjedhjeve të hidrokarbureve.
Të dhënat që ISHP vuri në dispozicion tregojnë se tabloja për Fierin është ndër më shqetësueset në vend, pasi prevalenca e sëmundjeve kardiovaskulare në këtë bashki lëviz gjatë viteve të fundit nga 386.8 raste për 10.000 banorë në 416.5 raste për 10.000 banorë, me nivel të qëndrueshëm por të lartë, çka tregon se komuniteti jeton nën presion të vazhdueshëm shëndetësor.
Ndërkohë sëmundjet malinje kanë pësuar rritje dramatike, nga 393 persona të prekur në vitin 2015, me prevalencë 21.2 për 10.000 banorë, në 1112 persona në vitin 2024, me prevalencë 61 për 10.000 banorë, pra gati 300% më shumë, duke e renditur Fierin të dytin në rang republike me 3071 shtrime spitalore për kancer, pa llogaritur 143 shtrime të tjera në Spitalin “Memorial”.
Në Roskovec, situata është kontradiktore, pasi prevalenca e sëmundjeve kardiovaskulare rezulton të ketë rënë nga 184.5 raste për 10.000 banorë në vitin 2018 në vetëm 28.6 raste për 10.000 banorë në 2021, një ulje gati gjashtëfish që auditi e konsideron të pashpjegueshme.
Krahasimi me të dhënat e qendrave shëndetësore të Marinzës dhe Kumanit nxori në pah përplasje të forta, ku për vitin 2021 bashkia raporton vetëm 83 raste, ndërsa dy qendrat numërojnë 282.
Në 2022 ISHP deklaron 119 raste kundrejt 315 të qendrave shëndetësore; në 2023 181 raste përballë 370 rasteve lokale dhe në 2024, 177 raste kundrejt 399, duke çuar bilancin e përgjithshëm në 560 raste të raportuara nga ISHP për periudhën 2021–2024, ndërsa vetëm Marinza dhe Kumani kanë evidentuar 1366 persona, një diferencë mbi 100% që tregon se barra reale e sëmundjeve të zemrës në zonat pranë puseve është shumë më e rëndë se ajo që pasqyrohet zyrtarisht.
Edhe në Patos shifrat ngrejnë dyshime, pasi prevalenca e sëmundjeve kardiovaskulare duket se është përgjysmuar nga 53 raste për 10.000 banorë në 2015 në 24.1 raste për 10.000 banorë në 2024, megjithëse mungesa e monitorimit të rregullt të ndotjes dhe e studimeve epidemiologjike e bën të paqartë nëse kjo rënie pasqyron realitetin apo boshllëqet e raportimit.
Në terren, veçanërisht në fshatra si Sheqishte, ku banorët jetojnë mes erës së rëndë të hidrokarbureve që vjen nga puset, pasojat matin vite jete: mesatarja e vdekshmërisë në Roskovec për katër vite është 74.71 vjeç, në pesë fshatra të Bashkisë Patos, përfshirë zonat pranë Patos–Marinëz, është 74.51 vjeç, ndërsa në Sheqishte zbret në vetëm 68.2 vjeç.
Krahasuar me jetëgjatësinë mesatare në Shqipëri, që sipas EUROSTAT në vitin 2022 është 79.1 vjeç, banorët e zonës Patos–Marinëz jetojnë rreth 4.5 vite më pak, një diferencë që nuk përfaqëson vetëm një numër në letër, por treguesin më të qartë të vdekjeve të parakohshme në një territor ku ndotja mjedisore është e përditshme.







