Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në seancë plenare të Kuvendit Projektbuxhetin e vitit 2026.
Malaj e përshkroi buxhetin si një “kontratë me qytetarët e Shqipërisë”, që synon të rrisë dinjitetin për pensionistët, të krijojë mundësi punësimi dhe biznesi për të rinjtë, dhe të forcojë ekonominë mbi baza të qëndrueshme, duke avancuar integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Malaj tha se, “Buxheti për vitin 2026 mbështetet mbi katër shtylla kryesore: mirëqenia dhe mbrojtja sociale, integrimi europian, rritja ekonomike e qëndrueshme dhe konsolidimi fiskal. Për herë të parë, të ardhurat e shtetit parashikohen të arrijnë rreth 30% të PBB-së, ndërsa investimet publike do të jenë 6.5% të PBB-së”.
“Këto nuk janë thjesht vetëm shifra. Janë tregues, se kjo qeveri nuk e ka ndalur punën e saj për të ndërtuar një ekonomi që financon zhvillimin pa i rritur barrën qytetarëve, që administron me kujdes, që shpenzon me prioritet dhe investon me vizion. I moshuari, arsimtari, mjeku, polici, ushtari, janë prioritetet tona”, tha ai.
Malaj shtoi se kryefjalë e qeverisë janë pensionet. “Ne të gjithë kemi prindër, gjyshër, të afërm, që kanë punuar një jetë për këtë vend. Ata meritojnë më shumë vëmendje dhe dinjitet. Jua kemi borxh! Dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë.
Sa herë kemi ndërmarrë një masë për këtë shtresë të nderuar, dhe të tilla kjo qeveri ka marrë shumë vitet e fundit, e dinim se asnjëherë nuk ishte mjaftueshëm. Nuk është natyrisht as sot. Por, jemi në rrugën e duhur”, tha ai.
Malaj tha se në fund të këtij viti, pensionistët tanë të nderuar, sikundër e kemi premtuar, do të marrin Bonusin e Fundvitit.
“Në fillim të vitit që vjen, përtej indeksimit vjetor që zbatohet rregullisht, do të ketë edhe rritje mujore të pensioneve, për të arritur deri në fund të mandatit: Pensioni urban me vite të plota pune të shkojë 40 mijë lekë nga 27,350 lekë që është sot. Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë nga 15,850 lekë që është sot. Pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë nga 11,500 që është sot. Pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë nga 11,400 lekë që është sot. Pensioni i invaliditetit të shkojë 30 mijë lekë nga 20 mijë lekë që është aktualisht”, u shpreh Malaj.
Ai u shpreh se efekti financiar i parashikuar për këtë masë për vitin 2026 është rreth 10.4 miliardë lekë dhe do të mbulohet plotësisht nga buxheti i shtetit. “Në fund të mandatit, efekti kumulativ i kësaj reforme të pensioneve që jemi duke ndërmarrë, për periudhën 2026-2030 llogaritet në rreth 1.7 miliardë euro. Kjo nuk është thjesht politikë buxhetore, nuk është thjesht një masë sociale, por është vlerësim dhe mirënjohje”, vijoi Malaj.
Ministri i Financave tha se “do të rritet paga minimale, si dhe do të rriten edhe pagat për punonjësit e sektorit mbështetës, pagat e mësuesve, të mjekëve, të infermierëve, të punonjësve të rendit, të ushtarakëve. Pra, nga njëra anë rrisim pagat e po ashtu mbrojmë edhe fuqinë blerëse”.
“Duke filluar nga 1 janari 2026, Paga Minimale për efekt të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore do të rritet me 10,000 lekë, duke arritur në 50,000 lekë. Nga kjo rritje parashikohet të përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe në atë privat.
Parashikimi ynë afatmesëm është për ta çuar pagën minimale në 60,000 lekë në vitin 2028 dhe 70,000 lekë deri në fund të mandatit”, tha ai.
Malaj tha se një tjetër risi është edhe zbatimi i indeksimit periodik të pagave në administratën publike, duke e bërë sistemin e kompensimit më fleksibël dhe të lidhur me ndryshimet e normës së inflacionit. “Kostoja e përgjithshme e këtyre ndërhyrjeve në paga, përfshirë rritjen e pagës minimale dhe indeksimin periodik është vlerësuar në rreth 10 miliardë lekë dhe nga kjo masë do të përfitojnë mbi 144 mijë punonjës të administratës qendrore dhe vendore”, tha ministri i Financave.
Kreu i ministrisë së Financave tha se rritje ekonomike në vitin 2025 parashikohet 3.9%. Sipas tij, kjo reflekton rritje pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë.
“Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në misionit e tij të radhës, vetëm pak ditë më parë, theksoi qartësisht se Shqipëria, vazhdon të dallohet si një prej ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë. Për këtë, kontribut të rëndësishëm ka dhënë rritja e kërkesës së brendshme, konsumi privat, investimet, ecuria e mirë e eksporteve të shërbimeve, në veçanti turizmi, që padyshim mbetet një nga motorët e rëndësishëm të ekonomisë sonë. Edhe për periudhën afatmesme, 2026-2028, ne jemi optimistë pasi parashikojmë një rritje mesatarisht në 4%/vit”. tha Malaj.
Ministri i Financave u shpreh se papunësia ka rënë në nivelin më të ulët historik prej 8.5% në tremujorin e dytë të vitit 2025. “Pjesëmarrja në forcat e punës është rritur më tej, duke arritur në 75.7% dhe norma e punësimit në 68.5%. Këta tregues dëshmojnë se ekonomia po krijon më shumë mundësi punësimi dhe po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për fuqinë punëtore”, tha Malaj.
“Inflacioni ka ndjekur një trajektore rënëse dhe të qëndrueshme. Pas kulmit që arriti në vitin 2022, inflacioni mesatar ra në 2.2% gjatë vitit 2024 dhe ka qëndruar në të njëjtin nivel edhe gjatë 9-mujorit të vitit 2025. Ky stabilitet reflekton normalizimin e çmimeve të mallrave, forcimin e monedhës vendase dhe efektet e politikave të kujdesshme monetare e fiskale”, vijoi ai.
“Sa i takon Investimeve të Huaja Direkte, ato u rritën me 7% në vitin 2024, trend i cili u ruajt edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2025. Flukset hyrëse të investimeve të huaja kanë qenë të përqendruara kryesisht në pasuritë e paluajtshme, duke reflektuar zhvillimet dhe pritshmëritë pozitive për sektorin e turizmit, sektorin e ndërmjetësimit financiar, energjinë, hidrokarburet dhe telekomunikacionin”, theksoi ministri i Financave.
Sipas tij, këto rezultate dëshmojnë se Shqipëria po ecën me ritme të qëndrueshme drejt forcimit të stabilitetit ekonomik dhe fiskal, duke siguruar një klimë më të favorshme për investime, si dhe duke afruar ekonominë sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
“Financat publike mbeten shtylla kryesore e këtij stabiliteti, përmes menaxhimit të disiplinuar dhe borxhit publik në ulje të vazhdueshme. Kjo është reflektuar edhe te besimi që partnerët ndërkombëtarë dhe tregjet financiare kanë ndaj vendit tonë. Agjencitë më prestigjioze të vlerësimit, si Standard & Poor’s dhe Moody’s, kanë rikonfirmuar me nota pozitive kreditin e Shqipërisë — “BB” dhe “Ba3”, të dyja me perspektivë të qëndrueshme. Edhe në projektbuxhetin 2026 do të vijohet me objektivin thelbësor të politikës fiskale, atë të reduktimit të borxhit publik.
Ky borxhi publik pritet të ulet në 53.6% të PBB-së, nga 54.1% e pritshme në vitin 2025, në përputhje të plotë me ligjin organik të buxhetit. Trajektorja rënëse do të vijojë edhe në vitet në vijim. Kjo tregon qartazi konsolidimin fiskal, një proces i qëndrueshëm që tregon stabilitet dhe ul gradualisht ekspozimin e financave publike ndaj rreziqeve të borxhit”, nënvizoi Malaj gjatë fjalës së tij.







