Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Euronews, deklaroi se Shqipëria e meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke theksuar reformat, transformimet institucionale dhe mbështetjen e qëndrueshme të qytetarëve për integrimin. Ai pranoi sfidat e krimit dhe korrupsionit, por shtoi se këto nuk janë probleme të veçuara shqiptare:
“Edhe Brukseli ka krim.”
Sipas Ramës, viti 2030 mbetet një objektiv realist për anëtarësim, me kusht që ritmi i reformave të intensifikohet. Komisioni Evropian, në raportin e fundit, vlerësoi progresin, por kërkoi përmirësim të luftës kundër krimit të organizuar, forcim të mekanizmave kundër pastrimit të parave dhe masa të qarta ndaj trafikimit të qenieve njerëzore.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Rama nënvizoi mbështetjen e kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe mbrojti marrëveshjen për qendrat e migracionit, duke e cilësuar si “akt solidariteti”.
Fraza e Ramës – “Edhe Brukseli ka krim” – nuk është thjesht një krahasim. Në fakt është vazhdimi logjik i një filozofie komunikimi që qeveria e ka përdorur prej vitesh:
zbute problemin duke e shpërndarë globalisht.
Në këtë kuptim, Rama ecën natyrshëm në gjurmët e Elisa Spiropalit, e cila vite më parë relativizoi një krim të rëndë me shprehjen tashmë të njohur:
“Ngjarje të tilla ndodhin kudo në botë, bëhen edhe filma.”
Në dy periudha të ndryshme, dy çështje të ndryshme, por stil mbetet i njëjtë: kur realiteti është i vështirë, krahasimi me botën i bën problemet të duken më të vogla.







