Ballina Ekonomia Transaksion 17 mln euro, Enver Mehmeti ble 40 % të aksioneve të...

Transaksion 17 mln euro, Enver Mehmeti ble 40 % të aksioneve të Premier Beach Hotel nga ortakët e tij

108
0

Biznesmeni Enver Mehmeti ka blerë 40 për qind të aksioneve të Premier Group, një kompani që ushtron aktivitetin në fushën e hoteleri turizmit, nga dy ortakët e tij. Transaksioni me vlerë 17.1 milionë euro është financuar tërësisht nga Banka Amerikane e Investimeve, e cila për të garantuar kredinë e saj ka hyrë aksionere me 10 për qind të aksioneve në kompani.

Premier Group zotërohej në masën 40 për qind nga Enver Mehmeti, 20 për qind nga Agim Mehmeti, 20 për qind nga Skendër Hysenaj dhe 20 për qind të tjera nga Arben Meçaj. Në prill të këtij viti Enver Mehmeti i shiti 10 për qind të aksioneve që zotëronte në Premier tek Banka Amerikane e Investimeve me çmim libri për 360 mijë euro.

Futja e ABI në kompaninë Premier ishte në fakt zanafilla e një operacioni financiar kompleks. Banka Amerikane do të financonte mbi 15 milionë euro kredi për Mehmetit me qëllim që ky të blinte aksionet nga dy ortakët e tij, Meçaj dhe Hysenaj dhe futja si pronare ishte garancia e bankës për të marrë kredinë mbrapsht.

Dhjetë ditë pas shitjes formale të kuotave tek ABI, Mehmeti nënshkroi kontratat me kusht për blerjen e 40 për qind të aksioneve që zotëronin dy ortakët e tij në vlerën 17.1 milionë euro. Pas nënshkrimit të kontratave me kusht, 70 për qind të kuotave që zotëronte tashme biznesmeni Mehmeti u vendosën si kolateral në ABI Bank për kredinë 15 milionë euro që banka i dha Mehmetit për të financuar blerjen e kuotave nga ortakët e tij.

Sipas dokumentave, 20 për qind e kuotave të Skënder Hysenaj u blenë për 8.1 milionë euro, ndërsa 20 për qindëshi i Meçajt u ble nga Mehmeti për 9 milionë euro. çmimi për aksion në këto dy transaksione rezulton 12.5 herë më i lartë se çmimi i blerjes nga ABI Bank.

Pas këtyre transaksioneve, struktura e pronësisë së Premier Group përbëhet nga tre ortakë. 70 për qind e aksioneve zotërohen nga Enver Mehmeti, 20 për qind nga Agim Mehmeti dhe 10 për qind nga Banka Amerikane e Investimeve.

Premier Group ushtron aktivitet në fushën e hoteleve dhe turizmit. Ajo zotëron hotelin Premium Beach Hotel nga Kryemëdhenj të Kavajës, një hotel që reklamohet me 5 yje.

Transaksion 17 mln euro, Enver Mehmeti ble 40 % të aksioneve të

Premium Beach Hotel

Ky është një nga transaksionet më të mëdha të ndodhura në fushën e hotelerisë.

Enver Mehmeti është një biznesmen i njohur, i cili zotëron disa kompani në fushën e turizmit përfshirë Vas Group. Disa vite më parë, biznesmeni u përfshi në një skandal, teksa u kallëzua në prokurori nga gazetarja Rudina Xhunga për kërcënim.

Xhunga e dorëzoi kallëzimin në Prokurorinë e Tiranës duke sqaruar publikisht se konflikti me pronarin e agjencisë turistike erdhi pas një shkrimi ku ajo tregonte “ferrin e pushimeve” që kishte prenotuar tek Mehmeti./ Kapitali