Nga Mirela Karabina
Prej vitesh, politika shqiptare po përjeton një krizë të thellë funksionale dhe morale. Sot, duket qartë se sistemi politik ka rënë jo me një përplasje të menjëhershme, por me një zvarritje të gjatë, të dhimbshme, ku dy partitë e mëdha, PS dhe PD, po përpëliten përpara drejtësisë duke humbur ditë pas dite legjitimitetin publik.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike sot shfaqen si struktura të lodhura, në luftë për mbijetesë dhe jo si institucione që ndërtojnë të ardhmen.
Ato kanë humbur aftësinë për të prodhuar lidership të ri, politika moderne apo vizion kombëtar. Në vend të kësaj, të dyja palët janë të zëna me përçarje të brendshme, mbrotje të të akuzuarve nga drejtësia,
luftë për kontrollin e vulës apo të tenderit dhe mbi të gjitha “rezistencë” përballë SPAK.
Lëvizja e SPAK ka ekspozuar një realitet të hidhur, për dekada politika shqiptare ka ndërtuar pushtet mbi klientelizëm, korrupsion dhe pandëshkueshmëri.
Përpëlitja e partive të mëdha para SPAK-ut nuk është shenjë force, por shenja e fundit e një epoke që po shkon drejt fundit.
Ish presindentë e ish kryeminstra në qeli dhe nën hetim, ish zëvendëskryeministra në arrati, në kërkim ndërkombëtar e të pezulluar nga detyra dhe të pandehur; ish ministra në burg dhe në gjykim për vjedhje e lidhje me grupe kriminale; kryebashkiaku dhe kryetarë bashkish nën hetim dhe të akuzuar për vjedhje; ish drejtorë të lartë nën hetim e të akuzuar për skema mafioze vjedhjesh, një listë e frikshme kjo abuzimesh e vjedhjesh por sot janë para drejtësisë.
Fatmirësisht drejtësia SPAK po ecën, ndërsa politika nuk është e gatshme të ndjekë të njëjtën rrugë.
Ajo thjesht zvarritet, përpiqet të ruajë status quo-në dhe gjen çdo arsye për ta penguar drejtësinë duke shmangur ndryshimin.
Dhe kostoja është e lartë për vendin, krizë politike, ekonomike e sociale dhe strategjike.
Ndryshimi i pushtetit nuk po ndodh sepse establishmenti e ka bllokuar: nuk ka garë reale elektorale, ekonomia nuk ecën, investimet e huaja frikësohen nga pasiguria politike, integrimi europian pengohet pasi BE kërkon institucione të qëndrueshme dhe kulturë politike perëndimore.
Në këtë boshllëk, sistemi nuk prodhon as kontroll, as balancë, as perespektivë.
Kemi një qeveri që “nuk” sfidohet dhe një opozitë që nuk bind askënd.
Për të dalë nga agonia, vendi ka nevojë për parti me lidership të ri; parti me qasje moderne e jo klane politike; program bazuar në zhvillim, mirëqenie, transparencë; energji të reja nga partitë ekzistuese, shoqëria civile, akademia, diaspora dhe rinia.
Rruga e dëshirueshme dhe e domosdoshme është një qeveri teknike apo e përkoshme, por kjo as me Edi Ramën dhe as me Sali Berishën.
Një qeveri e përkoshme bazuar në ekspertizë të gjendjes dhe që merr vendime bazuar mbi fakte dhe analiza objektive e jo mbi interes partiak do të rriste besimin publik e do të sillte qendrueshmëri në menaxhimin e krizës përmes vendimeve të bazuara në ekspertizë. Gjithashtu, kjo qeveri do të përgatitë rrugën për zgjedhje të lira e të ndershme përmes administrimit të paanshëm të sistemit zgjedhor.
Shqipëria ka nevojë të krijojë një model të ri politik bazuar në integritet, profesionalizëm dhe përgjegjësi, një model që nuk është peng i SPAK-ut por bashkëpunëtor i drejtësisë dhe në mbrotje të interesit qytetar.
Sot po përjetojmë jo thjesht një krizë, por fundin e një sistemi.
Rënia e PS-së dhe PD-së nuk është tragjedi, është mundësi për të ndërtuar një politikë që nuk mbijeton me skandale, por me vlera dhe ndërton një shtet që nuk frikësohet nga e ardhmja, por që e planifikon atë.
Shqipëria ka potencialin për t’u ringritur por kjo kërkon guxim, lidership të ri dhe një shoqëri që nuk pranon më zvarritjen e së vjetrës por ndërtimin e së resë.







