Australia ka miratuar një nga politikat më të rrepta në botë për mbrojtjen e të miturve në internet, duke ndaluar aksesin në platformat e rrjeteve sociale për të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeç. Vendimi erdhi pas rritjes së shqetësimeve për ndikimin e përmbajtjeve toksike, dhunës dixhitale, bullizmit dhe varësisë nga ekranet tek të rinjtë.
Sipas masës së re, platformat si Facebook, Instagram, TikTok, Snapchat e të tjera do të detyrohen të verifikojnë moshën e çdo përdoruesi në mënyrë të detajuar, duke përdorur metoda të avancuara identifikimi. Kompanitë që nuk zbatojnë rregullat rrezikojnë gjoba të mëdha.
Qeveria australiane argumenton se kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të frenuar ekspozimin e fëmijëve ndaj përmbajtjeve të rrezikshme në një mjedis online që po bëhet gjithnjë e më agresiv dhe manipulues. Grupet e prindërve dhe ekspertët e sigurisë kibernetike e kanë përshëndetur vendimin, ndërsa disa organizata të të drejtave dixhitale ngrenë shqetësime për privatësinë dhe mënyrën se si do të funksionojë verifikimi i moshës.
Masat pritet të hyjnë në fuqi brenda muajve të ardhshëm, ndërsa Australia shpreson të krijojë një standard të ri global për mbrojtjen online të fëmijëve.
Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, ka filluar tashmë fshirjen e llogarive të përdoruesve australianë që nuk plotësojnë kushtin e moshës. Qindra mijëra adoleshentë kanë marrë njoftime se profilet e tyre do të hiqen deri më 10 dhjetor. Kompania ka kërkuar nga prindërit të verifikojnë datat e lindjes së fëmijëve dhe të mos ndihmojnë në anashkalimin e kufizimeve të reja.







