Nga Desada Metaj
Një nga pyetjet e para që lind natyrshëm, sapo është bërë publik vendimi i GJKKO-s për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, është nëse ligji parashikon realisht një mundësi të tillë. Kjo pyetje vjen jo vetëm nga mungesa e njohjes juridike në publik – çka është plotësisht e arsyeshme – por sidomos sepse ky është vendimi i parë i këtij lloji në të paktën 35 vite të rendit shtetëror post-diktaturë. Lartësia e pushtetit ekzekutiv në kulturën politike shqiptare, e shoqëruar me mitizimin e figurave politike nga vetë shoqëria e pademokratizuar plotësisht, e vesh këtë ngjarje me skepticizëm. Në të vërtetë, kjo është një thyerje e fortë e një tabuje që karakterizon demokracitë e paemancipuara ose edhe ato hibride.
Në raste të tilla, zgjidhja më e thjeshtë dhe më e drejtë është referimi te ligji dhe leximi i tij i drejtpërdrejtë. Spekullimet publike nuk do të mungojnë, por detyrimi për t’i njoftuar qytetarëve të vërtetën juridike është një nga hapat e parë që duhet ndërmarrë.
Ligji bazë – dhe i vetmi – që duhet konsultuar për këtë çështje është Kodi i Procedurës Penale. Pikërisht ky Kod përcakton kompetencat e prokurorisë dhe gjykatës, si dhe mundësinë e dhënies së një mase sigurimi të tillë.
Kodi i Procedurës Penale, në Titullin V “Masat e Sigurimit”, i ndan ato në dy kategori kryesore: masat e sigurimit personal dhe masat ndaluese. Masat ndaluese, sipas nenit 240, përfshijnë pezullimin e ushtrimit të një detyre ose shërbimi publik, që është masa e aplikuar në rastin Balluku.
Neni 242 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se gjykata mund të pezullojë çdo funksion publik që nuk buron nga zgjedhja përmes ligjit elektoral. Përjashtimi i vetëm lidhet me funksionet që rrjedhin drejtpërdrejt nga sovrani përmes zgjedhjeve, pra deputetët, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët bashkiakë. Kjo zgjidhje ligjore lidhet me parimin e ndarjes së pushteteve dhe supremacinë e vullnetit demokratik.
Për të gjithë funksionarët e tjerë publikë – pra ata të emëruar ose të caktuar – gjykata ka kompetencë të plotë për të vendosur pezullim. Këtu përfshihen ministrat, zv/kryeministrat dhe madje edhe rastet e Kryeministrit, pasi edhe ai ushtron një funksion të marrë përmes procesit të emërimit dhe dekretimit, jo me votë të drejtpërdrejtë nga sovrani.
Në rastin e znj. Balluku, gjykata ka pezulluar ushtrimin e funksionit të “ministres” dhe “zv.kryeministres”, sepse këto janë funksione të marra jo me zgjedhje por me vendim të Kuvendit dhe me dekretim nga Presidenti, pra funksione që ligji i konsideron të pezullueshme. Ndërkohë, ajo vijon të ushtrojë funksionin e “deputetes”, sepse ky është një funksion që buron drejtpërdrejt nga sovrani përmes procesit zgjedhor dhe për këtë arsye gjykata nuk ka kompetencë ta kufizojë.
Në këtë mënyrë, vendimi i GJKKO-s është plotësisht brenda parashikimit të Kodit të Procedurës Penale, megjithëse për të parën herë në praktikën shqiptare, duke shënuar një precedent të rëndësishëm në forcimin e standardit të shtetit të së drejtës.
Ky precedent, sipas së njëjtës logjikë juridike, do të ishte i zbatueshëm edhe për Kryeministrin, përderisa ai mban një funksion të emëruar dhe jo të votuar drejtpërdrejt nga qytetarët, duke konfirmuar se asnjë nivel i pushtetit ekzekutiv të emëruar nuk është jashtë kontrollit gjyqësor.
Në këtë situatë, Edi Rama nuk ka shumë rrugëzgjidhje. Sepse në lojë nuk është thjesht Belinda Balluku; në lojë është vetë Edi Rama – më saktë, posti i kryeministrit që ai mban prej më shumë se një dekade. Vendimi i GJKKO-së nuk prek vetëm një ministre: ai prek arkitekturën politike mbi të cilën Rama ka ngritur gjithë pushtetin e tij.
Qasja e parë është shkarkimi i Ballukut. Ky është hapi më i thjeshtë në dukje, sepse formalisht Rama ka lirinë ta bëjë (nuk dihet sesa do të ishte dakort Balluku me këtë zgjidhje!). Por në realitet, edhe shkarkimi nuk i zgjidh gjë. Masat e sigurimit nuk zhduken me një firmë të kryeministrit; hetimi vazhdon, gjykata vazhdon, SPAK vazhdon. Shkarkimi mund të lehtësonte presionin publik të momentit, por politikisht nuk e shpëton Ramën nga rreziku që ka përballë. Drejtësia mund të jetë e verbër – siç thotë një fjalë e urtë franceze – por ajo është e aftë të gjejë edhe gjilpërën në kashtë! Dhe në stallën e Ramës ka shumë për të gjetur.
Qasja e dytë është heshtja: të mos e shkarkojë Ballukun, por as të mos kundërvihet ndaj drejtësisë. Kjo është rruga më neutrale, më e padukshme dhe më pak e rrezikshme në sipërfaqe. Por ka një problem themelor: bie ndesh me narrativën e ndërtimeve të tij politike për 15 vite me radhë. Rama është mësuar ta pozicionojë veten si njeriu “që i paraprin ngjarjeve”, që është 3 lëvizje para në shah, ai që ka një zgjidhje për gjithçka. Ndërsa me këtë qasje do ta humbte këtë magjepsje që me aq mund e ka ngritur, e mbi të cilën qëndron pushteti i tij. Ja që tani ka filluar ti venitet kjo dukje. Ngelja pa tekst në çështjen Balluku, e dëshmon këtë. Ngjarjet kanë ardhur pa paralajmërim, nuk i ka paraprirë dot, nuk i ka parashikuar dot, nuk i ka frenuar dot. Dorëheqje s’ka e as shkarkim. Në këtë rast, heshtja tingëllon jo si zgjedhje, por si pafuqishmëri. Dhe ky është ndëshkimi, jo vetëm simbolik, që Edi Rama nuk do të donte ta merrte asnjëherë: humbjen e mitit të kontrollit.
Qasja e tretë është reagimi frontal përmes kundërshtimit të vendimit në Gjykatën Kushtetuese. Ky është skenari më i fortë politikisht, por edhe më i rrezikshmi. Kundërshtimi nuk do të ishte prej Ballukut (e cila dhe nëse do nuk e bën dot juridikisht), por do duhej të vinte drejtpërdrejt nga kryeministri si përfaqësues i qeverisë. Problemi është se dispozita ligjore është e qartë: përjashtimi nga kompetenca e gjykatës për pezullim nga detyra, vlen vetëm për deputetët, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët bashkiakë, por jo për ministrat dhe jo për kryeministrin. E megjithatë, kjo rrugë teknike ekziston.
Por me çfarë kosto?
Me një kosto të dyfishtë:
Së pari, Rama duhet të dalë hapur si kundërshtar i Reformës në Drejtësi. Jo më me mesazhe të koduara, jo më me gjysmë-fjalë, por zyrtarisht dhe frontal. Kushdo do mund ta lexonte këtë si sinjalin më të qartë se ai do shndërrohej si pengesa kryesore e procesit të integrimit europian – një proces që, në thelb, ka në zemër pikërisht SPAK-un dhe institucionet e reja të drejtësisë.
Së dyti, ai duhet të marrë rolin e atij që përfaqëson “Republikën e Kryeministrit” që lufton hapur “Republikën e prokurorëve”, siç e quajnë njerëzit rreth tij prej kohësh strukturën e re të drejtësisë. Ky do të ishte momenti kur bie përfundimisht rrëfimi i vjetër i tre dekadave politikë: ai i politikanëve shqiptarë që sillen si proeuropianë në deklarata, por veprojnë si regjimet më autoritare në praktikë.
Pavarësisht se si do të përfundonte eventualisht në Gjykatën Kushtetuese – askush nuk mund ta dijë paraprakisht – kjo rrugë do ta zhveshte përfundimisht Ramën nga çdo petk i neutralitetit ndaj drejtësisë dhe do ta vendoste në pozicionin e hapur të sfidimit të saj.
Dhe në fund të fundit, çështja – sërish – do të përfundonte përpara një hallke tjetër të Reformës në Drejtësi: Gjykatës Kushtetuese. Me një dallim të vetëm: këtë herë jo vetëm Balluku, por vetë Rama do të ishte në bankën politike të provës.







