Panorama e martesave në Shqipëri paraqet dallime të qarta mes qarqeve, sipas të dhënave më të fundit të mbledhura për popullsinë dhe numrin e martesave. Qarku i Tiranës, si qendra më e madhe urbane dhe ekonomike e vendit, regjistron numrin më të lartë të martesave me gjithsej 4835 raste. Me një popullsi prej rreth 758 mijë banorësh, Tirana jo vetëm kryeson në vlerë absolute, por është edhe destinacioni kryesor i të rinjve që vendosin të ndërtojnë jetën e tyre në kryeqytet, gjë që ndikon drejtpërdrejt në numrin e martesave.
Nga ana tjetër, ecuria e martesave në raport me popullsinë sjell një renditje krejtësisht tjetër. Qarku i Lezhës, me rreth 99 mijë banorë, regjistron 1038 martesa, duke e çuar nivelin në 10.4 martesa për 1000 banorë, shifër që e pozicionon atë qarkun më aktiv në këtë drejtim në të gjithë vendin.
Shifra të larta shënojnë edhe qarqet e Durrësit dhe Shkodrës, të cilat qëndrojnë në krye pas Lezhës për raportin e martesave ndaj popullsisë, me përkatësisht rreth 8.2 martesa për 1000 banorë. Fieri dhe Dibra vijojnë listën me një mesatare pak më të ulët, por sërish mbi shumë qarqe të tjera të vendit.
Në kontrast, disa qarqe të tjera përballen me ritme më të ulëta të martesave. Berati qëndron në fund të listës me vetëm 5.77 martesa për 1000 banorë, ndërsa Korça dhe Tirana shënojnë nga 6.3. Edhe pse Tirana është rekorde në numër absolut, dinamika e saj demografike e karakterizuar nga fluks i vazhdueshëm migrimi, konkurrencë më e lartë profesionale, ritëm i ngjeshur jetese dhe moshë mesatare më e lartë sjell një raport më të ulët të martesave ndaj popullsisë.
Në përgjithësi, numri i martesave ka shënuar një rënie të ndjeshme vitet e fundit, duke reflektuar ndryshime të thella demografike dhe sociale. Faktorë si emigrimi i të rinjve, pasiguria ekonomike, prioritetet e reja të brezave më të rinj dhe shtyrja e krijimit të familjes kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e numrit të martesave në të gjithë vendin.







