Ballina Dossier Kur Komiteti Qendror merrej me “Lonin”: Shqipëria e marsit 1983 në groteskun...

Kur Komiteti Qendror merrej me “Lonin”: Shqipëria e marsit 1983 në groteskun e vet

91
0

Në mars të vitit 1983, në mbledhjen e përditshme të Komitetit Qendror — aty ku duhej të diskutoheshin krizat ekonomike, marrëdhëniet e acaruara me jashtë dhe problemet reale të vendit — Ramiz Alia i raportonte Enver Hoxhës për… një skeç estrade.

Estrada e Lushnjës kishte bërë humor me një mësues që vraponte nga një klasë te tjetra sepse i kishin ngarkuar dy mësime në të njëjtën orë. Nxënësit, të lodhur nga rrëmuja, thoshin se “historia iku te Loni”.

Kur pyeteshin kush ishte Loni, përgjigjja vinte e pafajshme: “Napoleoni.”

Ramizi, i shqetësuar, u kishte kërkuar autorëve të estradës të mos e përdornin Napoleoni—sepse ishte “personazh i madh historik” dhe s’duhej ulur në nivel të humorit popullor.

Por Enveri e preu shkurt:

— “Jo. Asgjëkund nuk ka pse t’i thonë Loni.”

Kaq. Komandanti kishte folur. Problemi i ditës: A duhet të quhet Napoleoni “Loni” në estradë?

Ndërsa për mësuesin që vraponte si i çmendur nga një klasë te tjetra — simboli më i qartë i kolapsit të sistemit arsimor — pati vetëm një fjali të vetme:

— “Po ta detyrosh të japë mësim në dy-tre klasa, ç’të bëjë? Do të vrapojë.”

Dhe me kaq u mbyll “analiza”.

Ky dokument nuk tregon thjesht paranojën e një regjimi që kontrollonte humorin, historinë dhe gjuhën. Ai tregon një shtet që kishte humbur çdo lidhje me realitetin. Një diktaturë që e shpenzonte kohën për të censuruar “Lonin”, ndërsa mësuesit, spitalet, ekonomia dhe vetë shoqëria vraponin si ai personazhi i estradës — të rraskapitur, të pambështetur dhe të mbingarkuar.

Në majë të piramidës, shqetësimi kryesor ishte nëse Napoleoni duhej të quhej “Loni”.

Në fund të piramidës, njerëzit e vërtetë s’kishin as zë, as hapësirë, as “estradë” për t’u ankuar.