Ballina Ekonomia Mbahet Forumi i parë i biznesit Shqipëri-Japoni, vëmendje tek energjia, ICT dhe...

Mbahet Forumi i parë i biznesit Shqipëri-Japoni, vëmendje tek energjia, ICT dhe infrastruktura

33
0

Këtë të enjte, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, AIDA, në bashkëpunim me Japan External Trade Organization (JETRO), organizoi Forumin e parë të Biznesit Shqipëri–Japoni, i cili synon forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe nxitjen e investimeve mes dy vendeve.

“Besoj se gjatë gjithë kësaj dite ju do të keni mundësi të lidheni me biznese nga Shqipëria. Shikoj këtu të gjithë zëvendësministrat përgjegjës dhe përfaqësues nga institucionet që mbulojnë sektorët që përfaqësojnë bizneset tuaja. Prandaj besoj vërtet se sot ka një potencial të madh për rritje të investimeve dhe rritje të shkëmbimeve tregtare. Dhe jam e sigurt se sot do të dëgjoni për potencialin e jashtëzakonshëm që ka Shqipëria falë stabilitetit. Pozita strategjike dhe aksesimi i tregjeve, politikat miqësore për investimet dhe një sistem inovacioni që po rritet me shpejtësi. Shpresoj që sot të shënojë një hap shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet tona, dhe jam këtu me stafin tim dhe të gjithë përfaqësuesit e qeverisë për t’u siguruar që gjithë informacioni që ju nevojitet dhe gjithë mbështetja që do t’ju duhet në të ardhmen, do të jetë e disponueshme,” tha Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Ndërkohë, Ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, Kikuko Kato, theksoi se vendi ynë është një portë hyrëse për Ballkanin dhe se eksportet shqiptare drejt Japonisë janë rritur vitet e fundit, duke u diversifikuar nga produktet e detit deri te verërat organike dhe bimët medicinale.

Në fjalën e saj, Drejtoresha e AIDA-s, Laura Saro, theksoi gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik dhe identifikoi sektorët me potencial të lartë për investime nga kompanitë japoneze.