Rusia që pushton Ukrainën. Lufta në Gaza. Brexit. Zgjerimi i NATO-s. Venezuela që zhvillon një referendum për aneksimin e Esequibo-s, territor i Guajanës.
Ka një element që lidh të gjitha këto situata kaq të ndryshme (dhe lista mund të vazhdojë): janë të gjitha çështje kufijsh. Ironikisht, rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989 u përshëndet si fundi i të gjitha kufijve… Por nuk ndodhi kështu. Përkundrazi, llogarisin gjeografët, për çdo kilometër të Murit të Berlinit të shembur, vetëm në Evropë janë ngritur 172 km kufij të rinj. Shkak ishte shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, që çliroi nacionalizmat e shteteve satelite (Letonia, Estonia, Lituania, Çeçenia…).
Mjafton të kujtojmë se fjala “Ukrainë” vjen nga krajina, “kufi”, sepse ishte periferia jugperëndimore e perandorisë ruse.
Sot kufijtë po vihen në pikëpyetje kudo. Partneritetet tregtare transatlantike dhe transpacifike, të krijuara për të ulur barrierat doganore dhe për të nxitur tregtinë, janë bllokuar, ndërsa tarifat mes Kinës, Europës dhe SHBA-ve rriten. Institucionet e mëdha ndërkombëtare (OKB, OBSH) janë në krizë, dhe shumë vende po ringjallin sovranizmin dhe proteksionizmin.
Përse po ndodh kjo? Dhe ku do të na çojë? Për t’u përgjigjur, duhet të kthehemi pas dhe të kuptojmë lindjen e kufijve.
Identitet dhe tensione
Historia e gjatë e Perandorisë Romake filloi, sipas legjendës me Romulin, i cili vizatoi me parmendë një brazdë në tokë: kufirin e parë të Romës, mbi të cilin u ngrit një mur mbrojtës. Por kufijtë janë shumë më të hershëm. Ato lindën rreth 10 mijë vjet më parë, kur komunitetet u bënë të qëndrueshme falë bujqësisë dhe blegtorisë në “Gjysmëhënën pjellore”: luginat e Tigrit, Eufratit dhe Nilit.
Rreth mijëvjeçarit IV p.e.s. lindën qytet-shtetet sumere dhe, siç kujton Manlio Graziano nga Sciences Po, “me to lindi nevoja për të përcaktuar hapësirën politike midis një qyteti dhe tjetrit dhe për të kontrolluar tokat përreth, që ishin jetike për mbijetesën”. Kështu lindën kufijtë natyrorë dhe muret mbrojtëse.
Sipas Yuval Noah Hararit, kufijtë u mundësuan komuniteteve sedentare të krijonin vlera të përbashkëta, ligje, fe, monedhë, pa të cilat shoqëritë e mëdha nuk do të funksiononin. Por ato sollën edhe tensione: kur një grup kalonte kufirin e tjetrit për të marrë burime, lindnin luftërat e para.
Në British Museum, është një kolonë guri 4.500 vjeçare, një shenjë kufiri mes qyteteve sumere Lagash dhe Umma. Mbi të shkruhet një paralajmërim i prerë: kushdo që kalon kanalin e kufirit për të marrë tokën e tjetrit “qoftë i shkatërruar nga Enlili”.
Ky është kufiri më i vjetër i njohur. Sot, kufijtë tokësorë të 193 kombeve përbëjnë rreth 250 mijë km, më shumë se 6 herë rreth e rrotull botës. Dhe u shtohen kufijtë detarë, nëntokësorë dhe ajrorë.
Kufijtë përcaktojnë territore, dhe komunitete
Kufiri është linja e përbashkët që ndan dy territore, por edhe i lidh. Ndërsa “frontiera” është koncept luftarak: aty përballen ushtritë. Kufiri është dinamik, jo gjithmonë i mbyllur. Mund të lëvizë, të jetë poroz.
Michel Foucault thoshte se kufiri është “mekanizëm që rregullon raportin midis brendësisë dhe asaj që shihet së jashtmi, midis përfshirjes dhe përjashtimit”. Pra, ai përcakton një territor dhe një komunitet që ndan gjuhë dhe kultura.
Janë gjithmonë pak a shumë arbitrarë. Në ngushticën e Beringut, dy ishujt Diomede janë vetëm 5 km larg, por ndahen nga 21 orë kohë, sepse aty kalon vija ndërkombëtare e datës. Njëri quhet “ishulli i djeshëm”, tjetri “ishulli i nesërm”.
“Rendi i ri” i vitit 1648
Për shekuj të tërë, kufijtë ishin të paqartë. Në kulmin e saj në vitin 117, Perandoria Romake përdorte kryesisht pengesa natyrore dhe disa mure si Vallo i Hadrianit. Në Mesjetë, territoret mbivendoseshin dhe autoritetet ishin të shumëfishta. Pushteti nuk përkufizohej nga një vijë, por nga sa larg shtrihej aftësia për të mbledhur taksa dhe për të siguruar besnikëri ushtarake.
Kufijtë që njohim sot lindën me Paqen e Vestfalisë (1648), e cila vendosi parimin e sovranitetit: një autoritet ka fuqi të plotë brenda kufijve të vet. Prej aty filloi gara për të vizatuar kufij të qartë. Vendi që përfitoi më shumë ishte Mbretëria e Bashkuar. E mbrojtur nga deti, ajo zhvilloi një sistem politik më përfshirës dhe një ekonomi konkurruese që çoi drejt Revolucionit Industrial. Sukses i lidhur ngushtë me mbrojtjen e kufijve.
Modeli britanik dhe lindja e nacionalizmit
Por kufijtë britanikë ishin porozë, dhe modeli u përhap në Europë. Së bashku me zhvillimin industrial, lindi nacionalizmi, që “shenjoi kufirin si simbol të vlerave të brendshme kundër barbarisë së jashtme”. Nga këtu te lufta, rruga është e shkurtër.
Kufijtë, gjeopolitikë, ekonomikë, kulturorë, nuk janë të mirë as të këqij. Ata krijojnë mundësi dhe konflikte. Sipas studiuesve, tensionet shpërthejnë kur këto tre kufij nuk përputhen më. Ndërsa periudhat e prosperitetit ndodhin kur ato përkojnë.
Mallrat (dhe qytetarët) e botës
Pas Luftës së Dytë Botërore, lindi ideja se tregtia e lirë do t’i bënte kufijtë ekonomikë të panevojshëm. U krijuan OKB-ja, OBT, Banka Botërore, Komuniteti Ekonomik Europian, ASEAN, Mercosur. Rënia e barrierave çoi në rritje ekonomike dhe ulje drastike të varfërisë ekstreme. Por globalizimi solli konkurrencë të fortë dhe presione për industrinë perëndimore.
Krizat financiare, pakënaqësia dhe frika nga e ardhmja ushqyen nacional-populizmin: Brexit, trumpizmi, sovranizmi. Kur njerëzit ndihen të kërcënuar, kërkojnë fajtorë: mallrat e huaja, migrantët, tregjet e hapura. Sot, ndarja më e mprehtë është ajo ekonomike: midis atyre që mund të lëvizin lirshëm dhe atyre që nuk mundin.
Çështjet globale nuk njohin kufij
Pandemitë, ndryshimet klimatike, terrorizmi, ciklonet, krizat energjetike, asnjë prej tyre nuk respekton kufijtë kombëtarë. Rendi global pas Jaltës nuk funksionon më. SHBA-të nuk arrijnë të stabilizojnë sistemin ndërkombëtar si dikur. Kina nuk mund të ndërtojë një rend të ri sepse i mungon legjitimiteti. Sipas ekspertëve, vetëm një qeverisje globale që përfshin aktorë të rinj, Gjirin Persik, Brazilin, Indinë, Turqinë, Indonezinë, Meksikën, Nigerinë, mund të shmangë fragmentimin në makro-rajone konkurruese dhe potencialisht armiqësore.
Interneti është sot e vetmja hapësirë pa kufij, një komunitet global, por edhe i cenueshëm ndaj manipulimit dhe algoritmeve që krijojnë “flluska informacioni”. / focus – bota.al







