Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është akuzuar për përfshirje në “safarin njerëzor” gjatë Luftës në Bosnje, ku thuhet se të huaj të pasur paguanin shuma të mëdha për të qëlluar civilë në Sarajevë. Sipas gazetarit kroat investigativ, Domagoj Margetic, Vuçiç ishte i pranishëm në një prej pozicioneve ushtarake mbi qytet nga ku të huajt paguan për të qëlluar banorët gjatë rrethimit të Sarajevës nga 1992 deri në 1996. Sipas asaj që shkruan The Telegraph, ai ka dorëzuar një kallëzim pranë prokurorëve italianë, duke përfshirë dëshmi video dhe fotografike që, sipas tij, tregojnë presidentin serb në aktivitete të tilla.
Margetic pretendon se Vuçiç ishte pjesë e një njësie paramilitare nën kontrollin e Partisë Radikale Serbe dhe se një pozicion snajperi u vendoste mbi varrezat hebraike të Sarajevës. Gjatë rrethimit të qytetit, mbi 10 mijë njerëz u vranë nga sulmet me artileri dhe snajper.
Mbështetësit e Vuçiçit i kanë mohuar këto akuza, duke thënë se objekti që shfaqet në videon e vitit 1993 ishte një çadër, dhe jo armë. Zëdhënësja e presidentit tha se këto pretendime janë “informacion i rremë dhe i motivuar politikisht” dhe kanë për qëllim të dëmtojnë reputacionin ndërkombëtar të Serbisë.
Në Itali, prokurorët kanë nisur hetime pas informacionit se të huajt e pasur, përfshirë italianë, rusë dhe amerikanë, morën pjesë në “safarët” kundër civilëve boshnjakë, ku kishte një çmim të shtuar për gra, fëmijë dhe burra në uniformë. Milicia serbe e Bosnjës, nën komandën e Radovan Karaxhiç, i lejonte këto aktivitete.
Një dokumentar i vitit 2022, “Sarajevo Safari”, ka ngritur të njëjtat akuza për të huajt që vizitonin qytetin si “turistë lufte”. Ekspertët dhe ish-diplomatët ballkanikë thonë se pretendimet mund të jenë të sakta, por duhet të trajtohen me kujdes dhe të hetohen nga autoritetet ndërkombëtare.
Prof. Jasmin Mujanovic, ekspert për Ballkanin, ka postuar një video që duket të tregojë Vuçiçin me një automjet të dekoruar me kafkë, duke shtuar se ka dëshmi të shumta nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë që konfirmojnë ekzistencën e “safarëve njerëzorë” nga forcat nacionaliste serbe për të huajt e pasur. Ai nënvizon se këto akuza janë të besueshme, por kërkojnë prova të jashtëzakonshme dhe hetime të plota nga policitë italiane dhe ndërkombëtare.







