Ballina Aktualitet Serbët hyjnë në tregun mediatik shqiptar, themelohet Arena Channel Albania

Serbët hyjnë në tregun mediatik shqiptar, themelohet Arena Channel Albania

56
0

Arena Channels, një grup mediatik në pronësi të Telekom Srbija, ka vendosur të hyjë në tregun shqiptar. Një javë më parë, shoqëria serbe ka krijuar kompaninë Arena News Channels Two Albania, e cila është regjistruar këtë të enjte në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Sipas ekstraktit, shoqëria do të ketë si objekt aktiviteti; Prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve audiovizive nëpërmjet televizionit, internetit, platformave digjitale dhe rrjeteve sociale.

Serbët hyjnë në tregun mediatik shqiptar, themelohet Arena

Ekstrakti i Arena Channels Two Albania

Po kështu pjesë e aktivitetit të saj do të jetë edhe botimi dhe administrimi i publikimeve elektronike dhe mediave online.

Dokumentat tregojnë se adresa e regjistruar e shoqërisë është në rrugën Dervish Shaba, Blloku B-1. Në të njëjtën adresë gjendet dhe televizioni Adria Med si dhe disa kompani të tjera në pronësi të biznesmenit Enver Mehmeti, por ky i fundit deklaron se shoqëria serbe nuk ka lidhje me televizionin e tij.

Arena News Channel Two Doo u themelua më 13 mars 2009 nga Goran Đaković. Në atë kohë, ajo quhej “Telecommunications Company HD-WIN doo”. Më 22 maj 2019, kompania u ble nga “Telekom Srbija” AD, çka e bën atë një kompani që indirekt zotërohet nga qeveria e Serbisë.

Aktualisht Arena Channel Group është mbajtësja e të drejtave për transmetimin e kanaleve sportive në territorin e Serbisë, Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kroacisë. Po kështu ky grup mediatik mban edhe liçencën e kanalit të njohur Euronews për Serbinë.

Ardhja e Arena Channel në Shqipëri përkon me disa ndryshime të rëndësishme në tregun mediatik shqiptar. Dy javë më parë, Kapitali raportoi se familja Dulaku shiti platformën Tring tek një kompani e lidhur me grupin Devolli të Kosovës.

Po kështu, gjatë muajve të fundit ka patur zëra edhe për një shitje të mundshme të platformës tjetër, Digitalb, por deri më tani kjo nuk është materializuar./kapitali