Ballina Aktualitet Si u ‘vra’ grupi i Belindës/ SPAK gjen provat që lidhin kontratat...

Si u ‘vra’ grupi i Belindës/ SPAK gjen provat që lidhin kontratat fallco me shitjen 0 lekë

54
0

Nga Elton Qyno

Një skemë e mirëfilltë korrupsioni dhe pastrimi parash është realizuar nga një rrjet zyrtarësh dhe biznesmenësh të lidhur me ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, përbën një rast tipik për rekord “Guinnes”.

Lexo edhe:
Zhupa: Vlera e vetëm një nga aferat e qeveritarëve do zgjidhte varfërinë e 48% të fëmijëve shqiptarë!
E gjitha ka ndodhur brenda një guaske që ndërlidhej mes shoqërisë “DAAM” të themeluar në vitin 2017, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës.

Por tashmë SPAK përmes zbulimit të 5 kontratave të blerjeve fiktive dhe mesazhet telefonike, ka zbërthyer të gjithë skemën e vjedhjes, duke sjellë njëherësh dhe “vdekjen” e grupit të Belinda Ballukut në ARRSH dhe ministrinë e infrastrukturës.

Tashmë pjesa më e madhe janë të pandehur, disa janë arrestuar, ndërsa kryetarja e këtij grupi, Belinda Balluku, është pezulluar nga detyra dhe kufizuar dalja jashtë shtetit, e ka indicia të forta se në ditët në vijim mund të ketë dhe masë arrestimi.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se SPAK ka arritur të “çajë” këtë grup korrupsioni që vepronte në ARRSH dhe Ministri, duke ndjekur një strategji me zbulimin e kontratave fiktive që kryheshin në shit-blerjen e kompanisë “DAAM“, faturat fiktive të shoqërisë “Net Group” dhe mbi 6 mijë mesazhe të rikuperuara në telefonat e Evis Berberit dhe zyrtarëve të tjerë të ministrisë dhe ARRSH-së.

Përmes mesazhe, SPAK tashmë ka rregjistruar zyrtarisht 3 dosje penale kundër Belinda Ballukut, si ajo e tenderit 190 milion euro të tunelit të Llogarasë, tenderit 2 milion euro të supervizimit të punimeve të tunelit të Llogarasë dhe tenderit për ndërtimin e Lotit Nr.4 të Unazës së Jashtme të Tiranës.

Sipas dokumentave çelësi fillestar i korrupsionit ka qënë shoqëria “DAAM” e themeluar në 5 Tetor 2017 nga Valter Begaj. Emri fillestar i kësaj kompanie ka qënë, “ВVAAL ENGI-10”, ndërsa administrator është emëruar Ervis Lami, shok i ngushtë i Evis Berberit.

Por 11 muaj nga themelimi i kësaj shoqërie, në 7 shtator 2018, para noteres Violeta Sulkaj, biznesmeni themelues i kompanisë “DAAM” që tashmë ndodhet në burg, Valter Begaj nënshkruan një kontratë me Evis Berberin.

Valter Begaj, zotëronte në atë kohë 100 për qind në pjesë 1.00 të kuotave të kapitalit të shoqërisë “ВVAAL ENGI-10”.

Sipas kontratës, Valter Begaj, deklaron se i shet blerësit Evis Berberi 100 për qind të këtyre kuotave në shumën 1 milion lekë të vjetra, shumë e cila është likujduar jashtë kësaj zyre dhe pala shitëse i ka marrë të hollat në dorë dhe nuk ka asnjë pretendim për këtë vlerë të likujduar.

Edhe Ervis Berberi, deklaron se është dakort si më sipër, pra që ka blerë në masën 100 për qind kuotat e kapitalit dhe që e ka likujduar plotësisht shitësin Begaj, për vlerën 1 milion lekë të vjetra.

Me blerjen e shoqërisë “ВVAAL ENGI-10”, Evis Berberi në muajin Tetor 2018, vendos të ndryshojë emrin e saj, duke e quajtur “DAAM” ndërsa administrator vijon të qëndrojë Ervis Lami.

Ndërkohë 1 vit më pas, në 31 janar 2019, shoqëria “DAAM” e përfaqësuar nga pronari i saj Evis Berberi, shitet tek një vajzë nga Kavaja, e quajtur, Brunilda Buli.

Një kontratë fiktive që Brunilda Buli merte përsipër tek noterja Rezarta Koçi, ti paguante Evis Berberit 500 mijë euro për ti blerë këtij të fundit 100 për qind të aksioneve. Berberi e bleu kompaninë në 2018 kundrejt 1 milion lekë të vjetra dhe për 1 vit e shiti të njëjtën kompani 500 mijë euro.

Në nenin 2 të kësaj kontrate të nënshkruar mes palëve në fillim të vitit 2029, thuhet se:

”…shitësi ia shet këto kuota blerësit kundrejt një çmimi 500 mijë euro, të vlerës nominale. Palët deklarojnë se kësti i parë në çmimin prej 8 mijë euro është paguar jashtë zyrës noteriale nga blerësja në favor të shitësit, të cilët nuk kanë asnjë pretendim ndaj njëri-tjetrit. Ndërsa pjesa tjetër e çmimit total do paguhet në 5 këste për një periudhë kohore prej 5 vjetësh, konkretisht nga 100 mijë euro çdo vit. Nëse pala shitëse nuk paguan vlerën totale të çmimit të shitjes brenda 5 vjetësh, shoqëria do i kthehet palës shitëse dhe pagesat e bëra gjatë kësaj kohe, nuk do i kthehen mbrapsht palës blerëse…”.

Por për të kuptuar se si kjo skemë funksionoi, SPAK iu desh të sekuestronte, celularët e drejtorit tashmë të arrestuar të ARRSH, Evis Berberi, hetime të cilat nisën në shtator të vitit 2023, pas të dhënave që u publikuan në media.

Një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit, vuri më pas në lëvizje Prokurorinë. Por ajo çka e fundosi drejtorin e ARRSH, ishte zbërthimi i celularit Samsung, S 23 Ultra, në posedim të Ervis Lamit.

Aty nga ku u zbuluan edhe komunikimet midis tij, Evis Berberit, Valter Begaj dhe Brunilda Bulit. Biseda të cilat nuk linin asnjë hamendësim sipas SPAK, se Evis Berberi ishte pronari de fakto i kompanisë ‘DAAM’ dhe e kontrollonte atë në mënyrë të tërthortë, teksa si zyrtar i lartë në administratë çonte para në llogaritë e tij nga taksat e qytetarëve shqiptarë.

Në 16 gusht 2021 Brunilda Buli, i shkruan Ervis Lamit: “…Më fal që po të shkruaj në këtë orë. Doja të pyesja. Kemi hyrë në ndonjë tender në Kavajë me “DAAM”. Se kishte marrë babin tim në telefon njëri në Kavajë dhe i kishte thënë që ka një gabim në letra.

Ervisi i përgjigjet: Po, po. Sot kemi dorëzuar letrat. Në dijeninë time dokumentet kanë qenë në rregull.

Brunida i shkruan: Po çfarë tenderi është?

Ervis i dërgon sms: Është një objekt për realizimin e projekteve të ngrohjes me kaldajë, në 4 objekte”.

Ndërkohë sipas dokumentave të siguruara nga gazetari Elton Qyno, në 23 dhjetor 2021, vartësja e Evis Berberit Brunilda Buli, vendos t’ia shesë të gjitha aksionet e kompanisë “DAAM”, pronarit fillestar të kësaj shoqërie, biznesmenit Valter Begaj.

Sipas dokumentave fiktive që SPAK ka zbuluar, Valter Begaj që shiti kompaninë në 2018, tek Evis Berberi kundrejt vlerës financiare prej 1 milion lekë të vjetra, tashmë pas 3 viteve vetëofrohet të blerë këtë shoqëri, kundrejt 200 milion lekë të rinj (2 miliard lekë).

Kjo shifer e madhe, sipas kontratës do të paguhej nga blerësi në llogarinë bankare të shitësit dhe mandatet do të bashkangjiteshin kësaj kontrate.

Por çuditërisht, 2 muaj pasi Valter Begaj, ka blerë aksionet kundrejt 200 milion lekë të rinj të shoqërisë “DAAM”, ai në muajin shkurt 2021 vendos t’ia shesë këto aksione me të njëjtin çmim administratorit të shoqërisë “DAAM”, Ervis Lami, i cili është shok i ngushtë i Evis Berberit dhe Valter Begaj.

Sipas dokumentave të siguruara, në 21 shkurt 2022 firmoset një kontratë tjetër shitjesh të kapitalit të kompanisë “DAAM” mes Valter Begaj, gruas së tij Loreta Vallja që jep pëlqimin dhe Ervis Lamit, shokut të ngushtë të Evis Berberit.

Sipas kontratës të, çmimi i shitjes së 100 për qind të aksioneve, është fiksuar në 200 milion lekë të rinj.

Në nenin 2 të kësaj kontrate thuhej se: “…pala shitëse Valter Begaj dhe dhënësja e pëlqimit Loreta Vallja deklaron se i shet blerësit Ervis Lami, gjithë kuotën që ajo zotëron, me pjesëmarjen në masën 100 për qind të kapitalit të shoqërisë kundrejt çmimit të sitjes 200.000.000 (dyqind milione) lekë të rinj. Kjo vlerë do të paguhet nga blerësi në llogarinë bankare të shitësit dhe mandatet do t’i bashkangjiten kësaj kontrate. Palët deklarojnë se çmimi është i vetëm, i pandryshuar dhe palët nuk kanë asnjë pretendim ndaj njeri-tjetrit në lidhje me vlerën dhe mënyrën e likujdimit si me poshtë përshkruar. Çmimi i shitje’s se kuotave te kapitalit do te paguhet me keste brenda nje periudhe kohore prej 3 (tre) vitesh nga dita e nenshkrimit te kesaj kontrate. Nese pala blerese nuk paguan vleren totale te cmimit te shitjes se kuotave te kapitalit brenda 3 vjetesh, shoqeria do t’i kthehet shitesit, pronarit aktual, pa asnjë detyrim shtesë.

Por habitë me shitje-blerje fiktive të kësaj kompani nuk kanë rreshtur sërisht. Pasi dy muaj pas shitjes 200 milion lekë të rinj, pronari i ri, Ervis Lami, në 4 Prill 2022 ka vendosur tia shesë të gjitha aksionet e shoqërisë, biznesmenit fillsetar të saj, Valter Begaj.

Kontrata e shitjes nuk është bërë tek asnjë noter ndërsa çmimi i shitjes së kësaj shoqërie është 0 lekë.

“…shitesi Ervis Lami, deklaron se i shet blerësit Valter Begaj, (pronar i mëparshëm i subjektit) 100 për qind të këtyre kuotave, kundrejt vlerës 0 lekë, pasi shitësi tërhiqet nga pronësia dhe të dy palët nuk kanë asnjë pretendim ndaj njeri-tjetrit…”-thuhet në kontratën e shitjes.

Tashmë kjo shoqëri është sekuestruar nga SPAK qysh prej 2 Prillit 2024 dhe ende vijon të jetë e sekuestruar.