Presidenti serb Aleksandar Vuçiç hodhi poshtë akuzat që e lidhin atë me të ashtuquajturat “Safari snajperësh” gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1990, duke i quajtur pretendimet gënjeshtra që synojnë ta paraqesin si një përbindësh dhe vrasës gjakftohtë.
Duke reaguar ndaj akuzave për një video të vitit 1993, në të cilën ai pretendohet se shfaqet duke mbajtur një pushkë snajperi pranë personave të armatosur në varreza, Vuçiç para gazetarëve në një konferencë ekonomike rajonale Britani e Madhe–Ballkani Perëndimor, e mbajtur në Beograd, u shpreh: “Nuk kam mbajtur kurrë në jetën time një pushkë snajperi. Nuk kam pasur as armën për të cilën flisni, sepse ajo është stativ kamere. Nuk kam vrarë kurrë askënd, nuk kam plagosur askënd dhe nuk kam bërë asgjë të ngjashme”.
Gazetari investigativ kroat Domagoj Margetiç deklaroi të martën se kishte paraqitur një kallëzim zyrtar në Prokurorinë e Milanos, me pretendimin se Vuçiç ka marrë pjesë ose ka ndihmuar në organizimin e të ashtuquajturit “turizëm i snajperëve”, ku të huajit gjoja paguanin forcat boshnjake serbe për të qëlluar mbi civilët nga pozicione të ngritura. Në letrën dërguar prokurorëve, gazetari përmend një video të vitit 1993 dhe intervista të supozuara të kohës së luftës, bashkë me dëshmi të zyrtarëve boshnjakë, si prova se Vuçiç ishte vullnetar lufte në Sarajevë në vitet 1992 dhe 1993, dhe pjesëtar i Njësitit Çetnik të Sarajevës së Re, brenda Ushtrisë së Republikës Serpska.
Ai pretendon gjithashtu se Vuçiç ka kaluar disa muaj i pozicionuar në vijën e frontit në varrezat hebraike të Sarajevës. Akuzat erdhën në një kohë kur prokurorët në Milano hapën javën e kaluar një hetim për shtetas italianë që mund të kenë marrë pjesë në të ashtuquajturat “safari snajperësh”, duke hetuar akuza të mundshme për vrasje të rënduar.







