Ballina Ekonomia BB për Shqipërinë: Të ardhura fiskale nën potencial, informalitet i lartë dhe...

BB për Shqipërinë: Të ardhura fiskale nën potencial, informalitet i lartë dhe pensione shumë të ulëta

23
0

Shqipëria vijon të konsolidojë pozicionin e saj si një ekonomi në rritje të qëndrueshme, tashmë e kategorizuar si vend me të ardhura të mesme të larta dhe në një kurs të qartë drejt funksionimit të plotë si ekonomi tregu në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, një raport i ri i Grupit të Bankës Botërore, “Rishikimi i Financave Publike”, i publikuar sot, thekson se përshpejtimi i rritjes ekonomike, krijimi i vendeve cilësore të punës dhe investimet në sektorë kyç kërkojnë një ritëm të reformave shumë më të fokusuar tek përmirësimi i financave publike dhe efikasiteti i shpenzimeve.

Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ndodhet në një fazë ku përmirësimi i kapitalit njerëzor, investimet në infrastrukturë dhe avancimi i politikave klimatike janë vendimtare për konvergjencën me BE-në, veçanërisht në kushtet e ndryshimeve demografike që po e transformojnë strukturën e popullsisë. Menaxheri i Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, Massimiliano Paolucci, theksoi se vendi mund të ngrejë ekonominë në nivele më të larta të të ardhurave duke rritur investimet tek njerëzit dhe duke shpenzuar më me efikasitet, në mënyrë që burimet publike të përkthehen në zhvillim real.

Raporti vlerëson se pavarësisht reformave që kanë forcuar administratën tatimore, Shqipëria vijon të ketë të ardhura fiskale nën potencial, për shkak të mosdeklarimit të pagave, nivelit ende të lartë të informalitetit, përjashtimeve të shumta dhe mangësive në zbatimin e ligjit. Banka Botërore identifikon një sërë masash që mund të sjellin deri në 0.9% të PBB-së të ardhura shtesë çdo vit, përfshirë formalizimin e qirave afatshkurtra, zbatimin e taksës mbi pronën sipas vlerës së tregut, vendosjen e taksës së karbonit për qymyrin dhe përafrimin e taksave mbi duhanin me nivelin mesatar të BE-së. Përfitime të tjera mund të vijnë nga rishikimi i përjashtimeve fiskale dhe rritja e efikasitetit të administrimit tatimor.

Nga ana e shpenzimeve publike, buxheti i Shqipërisë vazhdon të jetë i orientuar kryesisht drejt pensioneve, pagave dhe investimeve kapitale, ndërsa shpenzimet për arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale mbeten modestë krahasuar me nevojat strukturore të vendit. Raporti thekson se nëse fondet ekzistuese do të menaxhoheshin më mirë, sektori publik do të mund të siguronte rezultate shumë më të mira për qytetarët, sidomos në fushat që lidhen me cilësinë e shërbimeve bazë.

Një nga sfidat qëndrore të vendit mbetet presioni demografik. Deri në vitin 2060, Banka Botërore vlerëson se rreth një e treta e popullsisë shqiptare do të jetë mbi moshën e pensionit, ndërsa pensioni mesatar përfaqëson vetëm 32% të pagës — niveli më i ulët në rajon. Raporti rekomandon zgjerimin e bazës së kontribuesve përmes politikave stimuluese për kontribute afatgjata, rritjen graduale të përfitimeve për të ruajtur fuqinë blerëse, përmirësimin e barazisë dhe krijimin e një skeme të re me kontribute të përcaktuara për gjeneratat e reja të punëtorëve. Thjeshtimi i formulave të llogaritjes së pensionit shihet gjithashtu si një hap i domosdoshëm për rritjen e qartësisë dhe besueshmërisë së sistemit.

Raporti ndalet edhe tek nevoja për të fuqizuar kapitalin njerëzor nëpërmjet shërbimeve cilësore në fëmijërinë e hershme. Vetëm 10% e fëmijëve nën tre vjeç janë të regjistruar në çerdhe publike, ndërsa 18 bashki nuk ofrojnë aspak këto shërbime. Banka Botërore argumenton se zgjerimi i aksesit dhe rritja e cilësisë së shërbimeve të hershme janë thelbësore për rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, uljen e hendekut gjinor dhe krijimin e një brezi të ardhshëm më të aftë dhe më të qëndrueshëm ekonomikisht.

Në fund, raporti thekson se reformat fiskale dhe institucionale duhet të shoqërohen me ruajtjen e disiplinës buxhetore, krijimin e hapësirave financiare dhe forcimin e rezervave përballë goditjeve të mundshme ekonomike. Vetëm kështu, Shqipëria mund të mbështesë zhvillimin e saj afatgjatë dhe të përshpejtojë konvergjencën reale drejt standardeve të BE-së në të ardhura, shërbime dhe cilësi jetese.