Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, zhvilloi një vizitë inspektuese në ambientet e IEVP Fier, ku takoi drejtuesit e burgjeve të vendit për të diskutuar ecurinë e punës, sigurinë, kushtet e të dënuarve dhe përpjekjet për të rritur standardet në sistemin penitenciar.
Gjatë vizitës, Lamallari njoftoi një lajm të rëndësishëm: me buxhetin e ri do të kryhet indeksimi i pagave për të gjithë punonjësit e burgjeve, përfshirë rritjen e pagave për personelin shëndetësor. Konkretisht, mjekët do të përfitojnë një shtesë prej 12,000 lekësh dhe infermierët 55,000 lekë. Ministri theksoi se kjo është një vëmendje e vazhdueshme e qeverisë për natyrën e vështirë të punës së stafit të burgjeve.
Lamallari e vlerësoi sistemin e burgjeve si thelbësor dhe kërkoi angazhim maksimal nga drejtuesit për të ruajtur parametrat e sigurisë dhe për të parandaluar futjen e sendeve të paligjshme.
Mes çështjeve të tjera, ministri konfirmoi vendimin për mbylljen e IEVP Bënçë, Tepelenë, duke u bazuar në kushtet e papranueshme të trajtimit dhe sigurisë, si dhe rekomandimet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, që evidentonte se burgjet nuk përmbushnin standardet minimale. Në vijim të takimit ministri Lamallari përmendi masterplanin e burgjeve, i cili ka për synim të sjellë një transformim në të gjithë sistemin e menaxhimit të këtij sektori delikat.
“Vendimarrja ishte e fortë, por e drejtë. Ne duhet të kemi një sistem të ngjashëm me standardet e BE për trajtimin e të burgosurve”-, u shpreh ministri Lamallari.







