Ballina Opinion Gjysh e mbesë që u sakrifikuan për ‘Enverin’

Gjysh e mbesë që u sakrifikuan për ‘Enverin’

25
0

Ka disa përkitje (pikëtakime) morbide mes Belinda Ballukut, zv.Kryeministres aktuale, dhe Beqir Ballukut. Sigurisht, përveç lidhjes së gjakut mbesë-gjysh.

E para, të dy [me sa duket] e kanë mbyllur karrierën si zëvendësKryeministra të Shqipërisë. Beqir Balluku u arestua dhe burgos si zëvendës i Mehmet Shehut dhe më pas u dënua me pushkatim si ‘tradhtar i Partisë’.

Përkitja e dytë, edhe Beqiri si e mbesa u akuzua, ndër tër tjera, “për përvetësim të pasurisë [socialiste] në përpjesëtime të mëdha dhe shpërdorim të pozitës zyrtare”. Akuza shpërdorim detyre dhe përvetësim milionash rëndon edhe mbi Belindën.

Përkitja e tretë është mospërfundimi i shkollës. Beqiri e nisi Shkollën Teknike, por nuk e mbylli duke e plotësuar pas ardhjes në pushtet me nje shkolle tjeter, Akademinë Ushtarake në Moskë. Një prej aludimeve të pahedhura poshtë asnjëherë ndaj Belindës është se nuk ka një diplomë universitare.

Një pikë tjetër ku takohen gjysh e mbesë, është numri i roleve qër kanë luajtur në regjimet përkatëse. I pari nën Enver Hoxhën, si kryetar i Komitetit të Internim Dëbimeve, ministër i Mbrojtjes, anëtar i Byrosë Politike etj. E dyta nën Edi Ramën, që nga koha kur ishte në Bashkinë e Tiranës, në Autoritetin e Aviacionit Civil dhe më pas ministre, zv.Kryeministre, dhe drejtuese e disa qarqeve.

Pas pushkatimit, më 5 nëntor 1974, Balluku u varros në Vranisht të Vlorës, për t’u ‘riatdhesuar’ në Tiranë pas rënies së komunizmit. Vini re: edhe dosja me përgjime që duket se do të fundosë Ballukun doli në shtyp më 5 nëntor [2025].

Mos harroni edhe tjetrën: E njëjta zonë, jo Vranishti, por Dukati, ku u ndërtua tuneli i Llogarasë, duket se do të bëhet edhe ‘varri’ politik i Belinda Ballukut.

E fundit përkitje, është gjasa që gjysh e mbesë të kenë fatin, e vdekjes njëri, dhe arrestit e burgut tjetra, ndërkohë që shefat e tyre të vdesin të dy në shtrat dhe të pacënuar. Për Ramën nuk e dimë ende, por ky ka qenë rasti i Enver Hoxhës.

Morbide siç janë, sidomos këto përkitjet e fundit, ato dhe të tjerat flasin megjithatë, gjatë e gjerë, për natyrën e pushtetit në Shqipëri. I cili është gjithmonë piramidal dhe shpërblen deri në fund vetëm atë që është në majë të piramidës, ndërkohë që ndëshkon të tjerët përreth, apo poshtë tyre. Në njëfarë mënyre këta janë edhe gjaku apo flija që pushteti të jetojë. Si Hoxha, si Rama nuk përtuan që, për të ndërtuar dhe mbajtur piramidën në krye të së cilës ishin, të varrosnin shumë prej bashkëpunëtorëve të ngushtë. Nuk ka rëndësi instrumenti dhe konteksti, Sigurim dhe gjyq popullor, apo SPAK dhe gjyq mediatik. Në fund përpjestimi ështe aty, i ftohë dhe i pakundërshtueshëm. Numrat e tjerë, nuk ka rëndësi me zhurmë apo në heshtje, kanë rënë, por 1-at kanë mbetur deri në fund, duke përdorur ‘eshtrat’ politike të të tjerëve  për trashëgiminë dhe pushtetin e tyre.

Sipas dokumenteve të kohës, Beqir Balluku nuk ka folur para togës së pushkatimit, edhe pse e ka pranuar fajin, pra ‘veprimtarinë armiqësore’.

Bela ka shfaqur nota qëndrese deri më tash, por ajo ende nuk i ka parë të qarta trajtat e dënimit. E veshur ende me shtresa pushteti, ajo mund të rezistojë derikur hija e ‘gijotinës’ t’i shfaqet fare afër dhe e plotë duke i bllokuar pamjen dhe marrë frymën.

Cfarë do të bëjë atëherë  Belinda Balluku? Do ta marrë me vete ‘Enverin’ e saj, apo duke heshtur do të pranojë fajin, bëjë burgun dhe të kthehet në një tjetër pinjolle të fisit që sakrifikohet për faraonin  dhe ‘ideal tër Partisë’!?