Ballina Kronika I morën një shqiptari kriptomonedhat me vlerë 10 mijë euro, vihen në...

I morën një shqiptari kriptomonedhat me vlerë 10 mijë euro, vihen në pranga 2 kinezë!

29
0

Policia ka arrestuar dy shtetas kinezë që i morën një shtetasi shqiptar, nëpërmjet mashtrimit, kriptomonedhat nga llogaria kriptofinanciare.

Njoftimi

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Scam platform”.

I morën një shtetasi shqiptar, nëpërmjet mashtrimit, kriptomonedhat nga llogaria kriptofinanciare, dhe nuk i dhanë vlerën e tyre (10 000 €), vihen në pranga 2 shtetas kinezë.

Si rezultat i hetimeve është identifikuar bashkëpunëtori i 2 shtetasve kinezë, posedues i llogarisë kriptofinanciare në Hong Kong, ku u transferuan kriptomonedhat e shtetasit shqiptar.

Vihen në hetim shtetasi që u mashtrua, si dhe 2 shtetas të tjerë, për përfshirje në mënyrë të kundërligjshme, në këtë aktivitet financiar.

Sekuestrohen 10 000 euro që kishin siguruar 2 të arrestuarit, për të mashtruar shtetasin shqiptar, që të bënte transaksionin, si dhe 5 celularë.

Si rezultat i punës hetimore dhe operative të kryer me objektiv parandalimin dhe goditjen e krimeve kibernetike dhe rasteve të mashtrimit të qytetarëve në këtë fushë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 finalizuan operacionin “Scam platform”, gjatë të cilit:

-u arrestuan shtetasit kinezë, X. Zh., 20 vjeç dhe X. Zh., 58 vjeç, të dy banues në Tiranë;
-u proceduan penalisht shtetasit A. S., 30 vjeç, J. Sh., 30 vjeç dhe A. Zh., 25 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se 2 shtetasit kinezë i kanë dhënë në ambientet e një lokali, 10 000 euro, shtetasit A. S., në këmbim të kriptomonedhave që ka patur ky i fundit, në llogarinë e tij kriptofinanciare. 2 të arrestuarit i kanë transferuar kriptomonedhat, në llogarinë e bashkëpunëtorit të tyre, në Hong Kong, por e kanë mashtruar 30-vjeçarin se transaksioni nuk ishte kryer dhe për këtë arsye ia kanë rimarrë 10 000 eurot. Bashkëpunëtori i 2 shtetasve kinezë është identifikuar, por për shkak të hetimit ende në vijim, nuk bëhen të njohura gjenealitetet e tij.

Ndërkaq, për 3 shtetasit e tjerë nisi procedimi penal, mbi dyshime se janë përfshirë ilegalisht, në administrim dhe këmbim kriptomonedhash.

Punohet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.