Ballina Kulturë Një fotografi e vetme mjafton ndonjëherë për të rrëzuar një diktaturë

Një fotografi e vetme mjafton ndonjëherë për të rrëzuar një diktaturë

12
0

Nga Beqir Sina, New York

Roland Tasho, një nga mjeshtrit e mëdhenj të fotografisë shqiptare pas rënies së komunizmit, e kishte ruajtur për dekada të tëra. Pesë vjet më parë ai e nxori në dritë. Pa filtra. Pa retushime.

Dy binjake nga Lezha, Entela dhe Etleva vinin çdo mbrëmje në kryeqytet. Ndërsa, familja e tyre ishte e internuar në fshatin Zejmen: “Biografi e keqe”. Por faji i vërtetë ishte tjetër.

Sapo shkelnin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, qyteti ndalonte. Djemt kthenin kokën. Gratë i shihnin me zili të përzier me admirim. Askush nuk fliste. Vetëm shihnin.

Dy vajza të gjata, me flokë të zeza, sy që shkëlqenin dhe një buzëqeshje që nuk pyeste për leje.

Në një vend ku gjithçka duhej të ishte gri, uniforme, pa ngjyra, ato ishin provë e gjallë se natyra nuk i bindet partisë. Regjimi i Enver Hoxhës kishte frikë nga çdo gjë që shkëlqente më shumë se portretet e tij.

Bukuria në atë kohë ishte kundërrevolucionare.

Prandaj i internuan. Jo për ndonjë krim. Jo për fjalë politike. Vetëm sepse ishin tepër të bukura për t’u lënë të lira.

Roland Tasho, e dinte këtë kur shtypte diafragma në 1985-ën. E dinte dhe kur e postoi në 2020-ën me caption-in: “A mund të internohet bukuria?”

Fotografia e Tashos u bë akt çlirimi. Entela, pesë dekada më vonë, del sërish në bulevard. Pa tela me gjemba. Pa leje të komandantit. Pa frikën e Sigurimit që i ndiqte hapat. Sot ecën nëpër ekranet tona, e lirë.

Diktaturat gjithmonë i kanë frikësuar dhe “ngacmuar”gratë e bukura. Në Shqipërinë e Hoxhës u prisnin flokët nëpër floktore që i shërbenin diktaturës, sepse “bukuria borgjeze korruptonte masat”.

Në Teheran sot ndëshkojnë një fije floku që del nga shamia e femrës. Në Kabul, gruaja “poshtërohet” në publik për një buzëkuq. Në Pyongyang, për një fustan të shkurtër me ngjyrë.

Entela dhe Etleva ishin Mahsa Amini-t e Shqipërisë së 1985-ës.

Pa emër nëpër media botërore, pa hashtag, pa protesta. Vetëm dy vajza që ecnin në bulevard dhe bënin revolucion pa e ditur.

Sot, kur shohim foton e Roland Tashos, kuptojmë diçka të thjeshtë dhe të tmerrshme njëherësh, bukuria është akti më i madh i mosbindjes. Ajo lind pa leje. Shkëlqen pa leje. Dhe nuk pyet për ideologji.

Entela na e thotë me heshtje: edhe në errësirën më të madhe, mjafton një buzëqeshje për të ndezur dritën.

Dhe ne, që e kemi jetuar atë kohë ose e mbajmë mend nga rrëfimet, e dimë se bukuria nuk u internua kurrë vërtet. Ajo thjesht priste një fotograf si Roland Tasho që ta çonte sërish në bulevard.

Sot ajo ecën përsëri mes nesh. E lirë./bs