Ballina Opinion Pse vendimi për pezullimin e Belinda Ballukut është Ligjor, i Domosdoshëm dhe...

Pse vendimi për pezullimin e Belinda Ballukut është Ligjor, i Domosdoshëm dhe i Pashmangshëm

27
0

Nga Erl Kodra

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për të pezulluar nga detyra Zv. Kryeministren Belinda Balluku u përshkrua nga disa zëra si “grusht shteti” dhe si “ndërhyrje brutale në kompetencat e qeverisë”. Këto fjali janë po aq të forta sa janë të gabuara. Në fakt, ato janë forma të një mekanizmi të vjetër mbrojtës: kur goditet pjesa më e lartë e piramidës politike, fajësohet drejtësia – dhe jo akti i mundshëm korruptiv që e solli drejtësinë aty. Një ish-ministër drejtësie (i po këtij kryeministri) i alarmuar u shpreh se “pse gjykata po bën intepretim ligjor”. Po e lexoni mirë, ai pyeste i alarmuar se pse gjykata i ka lejuar vetes të bëj intepretim ligjor! Ka të drejtë – gjykatat duhet të shesin makarona – jo të merren me punët e ligjit.

Por le t’i vendosim gjërat në vendin e vet.

Zv. Kryeministri në Shqipëri nuk është post i fituar me votë. Nuk është mandat popullor. Nuk është përfaqësim i qytetarëve. Është një emërim administrativ, një vend pune që varet drejtpërdrejt nga vullneti i Kryeministrit. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë “kompetencë qeveritare” që Gjykata po e cenon: nëse Kryeministri dëshiron, postin e ndryshon brenda minutës. Nuk cenohen balanca politike, nuk shkelet asnjë mandat elektoral. Pezullimi i një funksionari të emëruar nuk prek asnjë arkitekturë demokratike. Dhe nuk ka mënyrë më të qartë për ta thënë:

Gjykata nuk i ka hequr askujt asnjë votë, asnjë mandat. Gjykata thjesht ka hequr nga vendi i punës një person që dyshohet se ka vjedhur pikërisht në atë vend pune.

Nga ana tjetër, SPAK nuk ka ngritur akuza të thjeshta. Bëhet fjalë për dyshime për abuzim me tendera publikë që kapin dhjetëra milionë euro, me pasoja të drejtpërdrejta mbi financat publike dhe integritetin e administratës. Këto nuk janë akuza që të vendosin para një dileme teorike. Janë akuza që, në çdo shtet normal, sjellin menjëherë largimin e përkohshëm nga detyra të kujtdo që i mban ato.

Dhe këtu vjen momenti më i rëndësishëm: kursi i akuzës është i lidhur drejtpërdrejt me detyrën që Balluku ushtron. Nëse një ministër hetohet për tendera të ministrisë së vet, është absurde – madje e rrezikshme – të lejosh të vazhdojë punën në po atë ministri. Ajo ka vartës, ka qasje në dokumente, ka autoritet mbi njerëz që mund të jenë pjesë e hetimit. Mund të ndikojë, qoftë edhe pa dashje.

Në këtë pikë, masa e Gjykatës nuk është as akuzë, as dënim. Është masa më e zakonshme e sigurisë që ekziston në çdo sistem ligjor europian: kur një funksionar shtetëror hetohet për shkelje pikërisht në detyrën që ushtron, ai largohet përkohësisht për të mos penguar hetimin. Ky është parim bazë i shtetit të së drejtës. Kështu funksionon Franca, Italia, Kroacia, Rumania – kështu funksionon Europa. Dhe nëse duam të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, kështu duhet të funksionojë edhe Shqipëria.

Të pretendosh se kjo është “grusht shteti” është një lojë e rrezikshme me fjalët. Nuk mund ta quash puç juridik një vendim gjykate që bazohet në Kodin e Procedurës Penale. Nuk mund të sulmosh prokurorinë dhe gjykatën për t’i shpëtuar përgjegjësisë politike. Dhe nuk mund të kërkosh mbrojtjen e “kompetencave qeveritare” kur brenda qeverisë mund të lëvizësh të gjitha postet me firmë të vetme.

Nëse në Shqipëri ka një rrezik real – ai nuk vjen nga SPAK. Ai vjen nga ideja e rrezikshme se funksionarët e lartë janë mbi ligjin. Ideja se hetimi i një figure të rëndësishme politike është automatikisht “intrigë”. Ideja se drejtësia duhet të dijë ku të ndalet, sepse dikush ka post të lartë.

Ne shyqyr që ia mbërritëm kësaj dite. Pse, çfarë ka për t’u alarmuar nëse një i/e dyshuar për hajdut hiqet nga vendi i punës me vendim gjykate? Po sigurisht që duhet të largohet, pa asnjë pikë dyshimi.

Pezullimi i Ballukut nuk ka asnjë lidhje me politikën, por thjesht me Ligjin. Dhe Ligji e thotë në Nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale:

Pika 1. Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.

Pika 2. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.

Pikë. Këtu mbyllet kjo histori.