Tregu i strehimit në Shqipëri po përjeton një fazë të gjatë rritjeje të çmimeve, e cila po reflektohet me intensitet gjithnjë e më të madh edhe në tregun e qirave. Analiza e fundit e Bankës së Shqipërisë tregon se rritja e çmimeve të banesave, e nisur me ritme të forta që nga fundviti 2020, ka krijuar një presion mbi normat e qirasë, duke çuar në një përshpejtim të dukshëm të inflacionit të shërbimit të strehimit.
Sipas të dhënave, treguesi i çmimit të banesave ka shënuar një rritje të vazhdueshme, duke arritur nivele historikisht të larta në tremujorin e tretë të vitit 2025. Kjo rritje është rezultat i një kombinimi faktorësh, që nis nga kërkesa e lartë e brendshme dhe investimet e shumta nga emigrantët, deri tek kostot e ndërtimit, të cilat janë rritur në mënyrë të pandërprerë për shkak të materialeve, pagave dhe presioneve të tregut. Një pjesë e konsiderueshme e blerjeve të pasurive të paluajtshme vijon të gjenerohet nga kërkesa e fortë për investim, e cila e konsideron tregun e banesave më të favorshëm sesa depozitat apo instrumentet tradicionale të kursimit. Rrjedhimisht, çmimet e banesave janë rritur me ritme më të larta se çdo nënkategori tjetër të tregut të pasurive të paluajtshme.
Efekti i kësaj rritjeje ka nisur tashmë të transmetohet qartë edhe në tregun e qirave. Banka e Shqipërisë vëren se inflacioni i qirave gjatë tremujorit të tretë ka arritur në 5.8 për qind, një ritëm që është rreth trefishi i mesatares së një viti më parë dhe mbi dy herë e gjysmë më i lartë se mesatarja e viteve 2021–2025. Kjo rritje ka çuar në një zgjerim të kontributit të qirave në inflacionin total, i cili është ngjitur në 0.8 pikë përqindje, nga vetëm 0.3 pikë përqindje në periudhën paraardhëse







