Ballina Ekonomia Banka e Shqipërisë: Shkak, Rritet kreditimi në lekë, pasoja e uljes së...

Banka e Shqipërisë: Shkak, Rritet kreditimi në lekë, pasoja e uljes së normës bazë të interesit

25
0

Kreditimi në vend ka vijuar të rritet me ritme të qëndrueshme, i nxitur kryesisht nga ulja e normave të interesit në Lekë pas lehtësimit të politikës monetare. Pas reduktimit të normës bazë në 2.5%, Banka e Shqipërisë thotë se kostot e huamarrjes janë ulur ndjeshëm, sidomos për kreditë e reja në monedhën vendase.

“Normat e interesit në tregun e parasë dhe ato të bonove 12-mujore ranë menjëherë pas vendimit të korrikut, ndërsa bankat po përcjellin gradualisht këtë ndikim edhe te kreditë për familjet dhe bizneset. Interesi mesatar i kredisë së re në Lekë për bizneset zbriti në rreth 6.4%, nga 6.7% një tremujor më parë, ndërsa kreditë konsumatore për individët u ulën në 8.5%”.

Këto zhvillime kanë shtuar kërkesën për financim, duke bërë që kredia në Lekë të rritet më shpejt se ajo në valutë. Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditimi i familjeve dhe sidomos ai për investime po mbetet në trajektore pozitive, ndërsa kreditë në Euro janë relativisht më të shtrenjta për shkak të interesave më të larta në tregjet ndërkombëtare”.

Likuiditeti i bollshëm i bankave, marzhet e ulëta të rrezikut dhe konkurrenca e fortë në treg po e mbajnë koston e financimit të ulët, duke nxitur zgjerimin e mëtejshëm të kredisë në ekonomi. Për Bankën e Shqipërisë, ky zhvillim pritet të vazhdojë, duke mbështetur konsumit dhe investimet në muajt në vijim.