Ballina Opinion Çfarë duhet të kishte mësuar kryeministri Edi Rama nga Robert H. Jackson...

Çfarë duhet të kishte mësuar kryeministri Edi Rama nga Robert H. Jackson për përgjegjësinë

30
0

Nga Azmi Stringa 

Kur kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Robert H. Xhekson i kishte “bërë përshtypje” për një kohë të gjatë dhe i kishte mësuar diçka “thellësisht frymëzuese”, ai përmendi trashëgiminë e një prej figurave më të rëndësishme në llogaridhënien demokratike moderne. Jackson, Kryeprokurori i SHBA-së në Nuremberg, ndihmoi në përcaktimin se si demokracitë e kuptojnë lidershipin, përgjegjësinë dhe kufijtë e justifikimeve politike.

Megjithatë, justifikimet që ofron Rama sot në lidhje me skandalet e mëdha dhe të përhapura të korrupsionit që përfshijnë qeverinë e tij janë në kundërshtim me vetë parimet që Jackson ndihmoi të vendosen në Nuremberg. Këto parime flasin drejtpërdrejt për pretendime politike të tilla si:
“Unë nuk i urdhërova.”
“Nuk më thane gjë.”
“Ata vepruan pas shpine time.”

Doktrina e Xheksonit, dhe Gjykata e Nurembergut në përgjithësi, i mësuan botës se argumente të tilla nuk i lirojnë udhëheqësit nga përgjegjësia për keqbërjet e kryera nga sistemet që ata kontrollojnë dhe kanë ngritur. Një nga thëniet më të rëndësishme të Xheksonit mund të ishte shkruar pikërisht për momente si ky për të cilin Rama bëri dhe postimin:

“Ne nuk e pranojmë paradoksin që përgjegjësia ligjore duhet të jetë më e vogël aty ku pushteti është më i madh.”

Ky parim është universal. Dhe e bën të qartë pse “nuk e dija” nuk është më një mbrojtje e besueshme për asnjë kryetar qeverie, veçanërisht për një që pretendon publikisht se admiron mësimet e Xheksonit. Trashëgimia e Nurembergut jep mësime që bien ndesh ashpër me justifikimin që Rama ofron në lidhje me skandalet e përhapura të korrupsionit që përfshijnë qeverinë e tij, pra që ministrat/vartësit “vepruan pas shpine time”, ose me fjalët e tij, “ata hëngrën mollë pas shpinës time”.

1. Udhëheqësit janë përgjegjës për atë që duhet ta kishin ditur

Nurembergu vendosi që udhëheqësit nuk mund të fshihen pas injorancës kur keqbërjet janë masive, të parashikueshme, të përhapura dhe të kryera përmes strukturave që ata mbikëqyrin.

Në Shqipëri, skandalet e mëdha nën qeverinë e Ramës kanë përfshirë: ministri, agjenci, organe prokurimi, kompani publike, institucione lokale dhe qendrore, etj. Këto nuk janë incidente të izoluara. Ato pasqyrojnë modele, jo surpriza.

Kryeministri Rama ushtron autoritet të konsiderueshëm ekzekutiv: vendimet e mëdha merren nëpërmjet urdhrave, komiteteve që ai kryeson, vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe një game të gjerë mekanizmash miratimi, duke përfshirë, por pa u kufizuar vetëm në, lejet e ndërtimit, iniciativat e mëdha të infrastrukturës, statuset e investimeve strategjike dhe ndarjen e kontratave publike. Një Kryeministër me këtë nivel të levave institucionale ka si fuqinë ashtu edhe përgjegjësinë për të ditur kur gjëra të mëdha brenda administratës së tij shkojnë keq.

Kryeministri gjithashtu ka akses në çdo ministri dhe në thesar, kontroll të drejtpërdrejtë mbi autoritetet doganore dhe tatimore, sisteme kombëtare të auditimit, njësi antikorrupsion, organe inspektimi, mekanizma monitorimi të brendshëm, autoritet të plotë për të kërkuar informacion, dhe fuqinë për të emëruar dhe shkarkuar zyrtarë.

Me të gjitha këto mjete në dispozicion, mosdija nuk është justifikim, por një akuzë ndaj lidershipit. Dhe kjo ngre një pyetje themelore në lidhje me qeverisjen në Shqipëri: Si mundet një Kryeministër që centralizon kaq shumë pushtet, të pretendojë kaq pak përgjegjësi kur gjërat shkojnë keq?

2. “Unë nuk e urdhërova” nuk të çliron nga përgjegjësia

Në Nuremberg, shumë udhëheqës argumentuan se ata kurrë personalisht nuk urdhëruan keqbërje. Gjykata pa përtej nënshkrimeve/firmave dhe shqyrtoi pyetje më të thella strukturore nw lidhje me këta drejtues:
* Çfarë sistemesh ndërtuan ata?
* Cilët zyrtarë fuqizuan ata?
* Çfarë rreziqesh toleruan ose injoruan ata?
* Çfarë rezultatesh mundësoi modeli i tyre i qeverisjes?
Të njëjtat pyetje vlejnë për çdo qeveri moderne, përfshirë edhe atë të Shqipërisë.

Në Shqipëri, Kryeministri ka autoritetin për të emëruar ministra, për të zgjedhur zyrtarë të lartë, për të zbatuar mekanizmat e mbikëqyrjes dhe për të përcaktuar kulturën e llogaridhënies në të gjithë administratën. Kjo do të thotë që përgjegjësia shtrihet përtej urdhrave personal dhe në cilësinë e sistemeve dhe institucioneve që ai ka krijuar, karakterin moral të njerëzve që ai u ka besuar pushtetin dhe standardin që ai vendos në lidhje me integritetin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e brendshëm.

Shqipëria ka, në letër, një rrjet të gjerë strukturash antikorrupsion, auditimi të brendshëm, inspektoratesh, njësi monitorimi, mekanizmash kontrolli të integruar dhe entitetesh të ngritura për të zbuluar shkeljet. Megjithatë, këto struktura nuk kanë identifikuar ose parandaluar shkelje të qenësishme për vite me radhë, edhe pse skandale të mëdha vazhdojnë të dalin në pah cdo ditë. Kjo mospërputhje midis “sistemit në letër” dhe “rezultateve në praktikë” nxjerr në pah një problem strukturor, jo një dështim të izoluar. Drejtuesi është përgjegjës për vendosjen e kontrolleve efektive, duke siguruar që sistemet e mbikëqyrjes të funksionojnë në praktikë, jo vetëm në letër, dhe duke ndërmarrë veprime kur këto kontrolle dështojnë sistematikisht në zbulimin ose parandalimin e shkeljeve.

Prandaj, një udhëheqës duhet të pyesë:
* A emërova njerëz me integritet dhe kompetencë?
* A u sigurova që organet mbikëqyrëse të ishin funksionale, të fuqizuara dhe të pavarura?
* A krijova një mjedis ku llogaridhënia është kusht, dhe ti bëhet bisht?
* A veprova në kohë dhe me të gjitha mekanizmat në dispozicion kur u shfaqën sinjale ose rreziqe të hershme?

Kur këtyre pyetjeve nuk mund t’u jepet përgjigje pozitive, “Unë nuk e urdhërova” bëhet një mbrojtje e dobët. Përgjegjësia nuk qëndron në çdo akt individual, por në arkitekturën e qeverisjes që lejoi që sjellja e keqe të lulëzonte pa u zbuluar. Mësimi është i qartë për qeverisjen moderne: Një udhëheqës është përgjegjës për rezultatet e sistemit që ai drejton, jo vetëm për udhëzimet që nënshkruan. Atëherë pyetja nuk është “A e urdhëroi Rama?”, por “Pse vazhdoi të ndodhte nën drejtimin e tij?”

3. “Nuk më thanë” bie si argument kur një Kryeministër ka të gjitha instrumentet për të ditur.

Nurembergu hodhi poshtë argumentin se udhëheqësit i shpëtojnë përgjegjësisë sepse “askush nuk i informoi ata”.

Një Kryeministër nuk është një marrës pasiv i raporteve. Ai është nyja qendrore e pushtetit ekzekutiv. Njeriu më i pushtetshëm ne vend. Rama ka në dispozicion ose mund të ketë në dispozicion informacione nga:
* Task Forcën Kundër Korrupsionit,
* Inspektoratin e Përgjithshëm,
* njësitë e auditimit të brendshëm në çdo ministri,
* Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH),
* mekanizmat e verifikimit të kryqëzuar në të gjitha agjencitë,
* qasjen në shërbimet e inteligjencës,
* njoftimet javore të Kabinetit,
* mbikëqyrjen e plotë të emërimeve ministrore, etj.

Nëse skandale të mëdha korrupsioni shpërthejnë vazhdimisht në të gjithë qeverinë e tij, problemi nuk është se nuk iu tha. Problemi është pse nuk pyeti, pse nuk verifikoi dhe pse nuk veproi. Mosdija është një dështim në përmbushjen e përgjegjësive të drejtimit, jo një mbrojtje.

4. Mos dijenia (Verbëria) e qëllimshme nuk është pafajësi

Një nga trashëgimitë më të qëndrueshme të Nurembergut është njohja se udhëheqësit nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë duke zgjedhur qëllimisht të mos shohin atë që është qartësisht e dukshme. Gjykata tregoi se kur një udhëheqës ka autoritetin për të pyetur, mbikëqyrur dhe ndërhyrë, mosveprimi i qëllimshëm nuk justifikon injorancën.

Ky parim tani është themelor në qeverisjen demokratike: Nëse një udhëheqës zgjedh të mos hetojë, ose të injorojë paralajmërimet e hershme, ose të anashkalojë modelet e dyshimta, atëherë injoranca që rezulton është e qëllimshme, jo aksidentale. Një udhëheqës nuk mund të pretendojë me bindje se “nuk kisha dijeni” kur shqetësimet janë raportuar publikisht për vite me radhë përmes investigimeve mediatike, gjetjeve të KLSH, analizave dhe denoncimeve të ekspertëve dhe debateve parlamentare. Kur çështjet janë të publikuara në titujt kryesorë të lajmeve dhe janë sinjalizuar zyrtarisht nga institucionet mbikëqyrëse, detyrimi i një udhëheqësi të përgjegjshëm, ndershëm, dhe jo të kompromentuar, është të fillojë të paktën një hetim, verifikim, inspektim ose vlerësim të brendshëm. Dhe rezultatet e hetimeve administrative ti bëj publike. Injorimi i sinjaleve të tilla, që më vonë konfirmohen nga organet e drejtësisë si SPAK dhe Gjykata Speciale për Korrupsionin (GJKKO), duke i quajtur “fake news/kazan” tregon në rastin më të mirën për papërgjegjshmëri të qëllimshme. Në rrethana të tilla, pretendimi për mos dijeni bëhet i papajtueshëm me faktet publike.

Një Kryeministër që pretendon se është “mbajtur në errësirë” në skandale të shumta të mëdha po pranon në mënyrë efektive neglizhencën sistemike, jo pafajësinë.

5. “Ata vepruan pas shpine time” vetëm konfirmon mbikëqyrjen e dështuar

Nurembergu na mëson një nga mësimet më të vështira për çdo udhëheqës: Justifikime si “Ata vepruan pas shpine time”, ose me fjalët e vetë Ramës, “Ata hëngrën mollë pas shpine time”, nuk i mbrojnë udhëheqësit kur keqbërjet janë të përhapura dhe kryhen nga institucionet që ata komandojnë.

Nëse shumë ministra, agjenci ose zyrtarë të lartë përfshihen në korrupsion gjatë së njëjtës periudhë dhe rasteve të shumta, çështja nuk është një tradhti e izoluar, por është ose një kolaps strukturor i mbikëqyrjes ose një model keq-qeverisjeje i projektuar qëllimisht.
Një kryetar qeverie nuk mund të pretendojë pushtet të plotë për të emëruar, pushtet të plotë për të mbikëqyrur, pushtet të plotë për të disiplinuar dhe gjithashtu të pretendojë se nuk di asgjë kur gjërat shkojnë keq. Kjo kontradiktë është pikërisht ajo që Nurembergu e hodhi poshtë.

6. Çfarë do duhet t’i kishte mësuar Xheksoni Ramës, nëse do ta kishte lexuar vërtet

Nurembergu nuk kishte të bënte vetëm me ndëshkimin e mizorive. Kishte të bënte me përcaktimin e kuptimit të udhëheqjes në një shtet modern. Nga ai gjyq ne mësojmë se udhëheqësit janë përgjegjës për sistemet, jo vetëm për nënshkrimet; injoranca nuk është një justifikim legjitim; mbikëqyrja është një detyrë thelbësore e pushtetit; dhe sa më i lartë pushteti, aq më e madhe përgjegjësia.

Nurembergu i mësoi botës se:
“Ata në pushtet nuk mund të fshihen pas injorancës kur keqbërja është e përhapur, e parashikueshme dhe e prodhuar nga institucionet që ata drejtojnë.”

Nëse Edi Rama e ka lexuar vërtet Robert H. Jackson, ky është mësimi që duhet të kishte nxjerrë. Dhe është mësimi që qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të presin që ai ta respektojë.