Më shumë se 200 nxënës dhe staf nga një shkollë katolike me konvikt në Nigerinë qendrore, janë rrëmbyer nga një grup burrash të armatosur. Policia lokale ka thënë se sulmi ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes, vetëm disa ditë pas një sulmi të ngjashëm në një shkollë vajzash në një pjesë tjetër të vendit.
Shoqata e Krishterë e Nigerisë tha se gjithsej 227 persona ishin rrëmbyer, përfshirë 215 nxënës dhe 12 mësues.
“Qeveria e shtetit të Nigerit ka marrë me trishtim të thellë lajmin shqetësues për rrëmbimin e nxënësve nga Shkolla St. Mary në zonën e qeverisjes vendore Agwara”, tha në një deklaratë Abubakar Usman, sekretari i qeverisë së shtetit.
Dioqeza katolike lokale tha se “sulmues të armatosur pushtuan” shkollën midis orës 1:00 të mëngjesit dhe 3:00 të mëngjesit [00:00 deri në 02:00 GMT], duke rrëmbyer “nxënës, studentë, mësues dhe një roje sigurie” i cili u qëllua.
“Disa nxënës ikën dhe prindërit kanë filluar të vijnë për të marrë fëmijët e tyre pasi shkolla duhet të mbyllet”, tha Shoqata e Krishterë e Nigerisë në deklaratën e saj. Sekretari i qeverisë së shtetit të Nigerit tha se shkolla kishte mbetur e hapur pavarësisht paralajmërimeve të inteligjencës për një kërcënim në rritje.
“Me keqardhje, Shkolla St. Mary vazhdoi të rihapë dhe të rifillojë aktivitetet akademike pa njoftuar ose kërkuar leje nga Qeveria e Shtetit, duke i ekspozuar kështu nxënësit dhe stafin ndaj një rreziku të shmangshëm”, thuhej në një deklaratë nga sekretari.
Komanda e Policisë Shtetërore të Nigerit tha se St. Mary’s ishte një shkollë e mesme për nxënës të moshës 12 deri në 17 vjeç.
Njësitë taktike të policisë dhe forcat ushtarake janë vendosur pranë shkollës, ndërkohë që forcat e tjera të sigurisë kanë qenë në gatishmëri të lartë pas një vale sulmesh dhe rrëmbimesh të kohëve të fundit. Policia tha se po “kërkonin në pyje me qëllim shpëtimin e studentëve të rrëmbyer”.







