Vendimi i një 25-vjeçareje nga Australia për t’i dhënë fund jetës përmes vetëvrasjes së asistuar ka tronditur opinionin publik.
Annaliese Holland, e cila vuan që prej fëmijërisë nga një sëmundje e rrallë neurologjike dhe e pashërueshme, ka kërkuar t’i japë fund jetës pas një dekade vuajtjesh dhe dhimbjesh të pandërprera.
Sipas news.com.au, Annaliese ishte e sëmurë që në moshë të vogël, duke kaluar jetë mes spitaleve dhe trajtimeve të pafundme, ndërsa mjekët për vite të tëra nuk arrinin të gjenin diagnozën. Ajo përjetonte dhimbje kronike, të vjella dhe probleme të rënda me aparatin tretës, që shpesh imitonin bllokimin e zorrëve.
Në moshën 18-vjeçare u diagnostikua me një sëmundje shumë e rrallë autoimune që sulmon nervat përgjegjës për funksionet automatike të trupit. Kur mbushi 22 vjeç, mjekët i thanë se sëmundja ishte e pashërueshme.
Për shkak se stomaku i saj nuk funksiononte, Annaliese u mbajt në jetë përmes ushqyerjes intravenoze. Por kjo shoqërohej me rrezik ekstrem infeksionesh.
Medikamentet e shumta i kishin dobësuar aq shumë kockat, sa 25-vjeçarja kishte pësuar fraktura në shtyllën kurrizore, si dhe kishte dëmtime kronike të mushkërive dhe presion të lartë në zemër. “Jam e rrënuar fizikisht dhe emocionalisht… nuk jetoj më, vetëm mbijetoj”, tha ajo për median australiane.
Annaliese rrëfeu se pati një bisedë të dhimbshme me babanë e saj, i cili fillimisht e kundërshtoi idenë e vdekjes së asistuar. “I thashë: ‘Babi, jam lodhur. Të lutem, më lë të iki’. Atë natë ai e kuptoi.”
Pas një procedure trejavore vlerësimi, autoritetet australiane miratuan kërkesën e saj për vdekje të asistuar mjekësore, e cila lejohet ligjërisht për pacientët me sëmundje terminale.
“Kur mora miratimin, qava nga gëzimi. E di që tingëllon çuditshëm, por ishte hera e parë që ndjeva se kisha zgjedhje,” tha ajo.
Nëna e saj ende shpreson për një mrekulli, por thotë se e kupton luftën e përditshme të së bijës. Vetë Annaliese e përmblodhi vendimin e saj kështu: “Është një nga gjërat më të guximshme që mund të bësh – të pranosh se ke luftuar mjaft.”







