Ballina Politika Rama citoi prokurorin amerikan për “Ballukun”, reagon Bardhi: E ka zënë një...

Rama citoi prokurorin amerikan për “Ballukun”, reagon Bardhi: E ka zënë një hall i madh, avokat i korrupsionit të qeverisjes së tij

41
0

Kreu u grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas postimit të kryeministrit Edi Rama që nxori disa citime të ish-prokurorit amerikan Robert Jacksonit, duke iu referuar kështu rastit ‘Balluku’. Bardhi tha se nëse Rama citon juristë sa herë që e zë halli, ndërsa bën rolin e avokatit për qeverisjen e tij të korruptuar.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Sa herë Edi Rama citon juristë të mëdhenj, kushdo e kupton që një hall i madh e ka zënë. Sepse e vetmja “njohuri juridike” që ai zotëron realisht, është si të bëhet avokat i korrupsionit të paimagjinueshëm të qeverisjes së tij.

Reagimi i Edi Ramës, i mbështetur mbi figurën e Robert H. Jackson, s’është asgjë më shumë sesa një përpjekje e dështuar recitiviste për t’i shpëtuar përgjegjësisë politike dhe ligjore që bie drejtpërdrejt mbi të dhe mbi krahun e tij të djathtë, të pandehurën Belinda Balluku

Kryeministri i Shqipërisë citon fjalimin e një prej arkitektëve të akuzës së Nurembergut për të krijuar idenë se prokuroria në Shqipëri po abuzon me pushtetin. Por ka një problem thelbësor: Edi Rama nuk e ka luksin t’i japë askujt leksione për standardet e drejtësisë, kur mban akoma në krah të tij një politikane të pandehur nga SPAK. Në Europë, të cilën ai gjithmonë e keqpërdor:

* një ministër që shpallet i pandehur, dorëhiqet.
* kryeministri nuk e mbron, por e shkarkon
* asnjë udhëheqës demokratik nuk bën propagandë filozofike për të relativizuar akuzat kundër qeverisë së të tij

Asnjë fjalim, i kujtdoqoftë ai, nuk e ndryshon dot këtë fakt: Në asnjë vend të Europës nuk qëndron në detyrë një i pandehur. Dhe në asnjë vend të Europës kryeministri nuk bën fushatë kundër vendimit të gjykatës.

Nëse Rama do të ishte vërtet nxënës  i bindur i mësimeve të Robert Jacksonit, atëherë:

* nuk do të mbante të pandehurën Belinda Balluku zyrtarisht pjesë të qeverisë
* nuk do përdorte gjuhën e viktimizimit kundër drejtësisë,
* nuk do të bënte avokatinë  e një zv.kryeministreje të akuzuar për abuzim me tenderat.

Përpjekja për t’u fshehur pas fjalimeve nuk e ndryshon dot këtë të vërtetë, por për pjesën më të madhe të njerëzve është bë e qartë se Edi Rama nuk e ka lirinë për të bërë ndryshe.

Në këtë mungesë lirie, të diktuar nga korrupsioni i përbashkët me të pandehurit e pushtetit të tij personal, Edi Rama është bërë krejt i parashikueshëm: dje bënte protesta para SPAK-ut për Erion Veliajn, sot proteston nga facebook-u me leksione filozofie mbi drejtësinë. Nga “ulërimat politike” tek “meditimet juridike”, skenari është i njëjtë — një kryeministër që bën show për të shpëtuar nga pengmarrja.

Filozofitë me juristë të shquar apo meditimet juridiko-jetësore që ka nisur të postojë, nuk e fshehin dot faktin e vetëm real: ai është peng i të pandehurës Belinda Balluku. Sepse kjo është formula e vetme që funksionon brenda sistemit korruptiv të Edi Ramës: “nëse zhytem unë, zhytesh edhe ti”

Dhe diçka e fundit. Pushteti që citon Jacksonin, por mohon drejtësinë, nuk është i denjë. Edi Rama është një i korruptuar i frikësuar.