Ballina Bota SHBA, Gjykata Supreme iu jep hov republikanëve në Teksas, pezullon vendimin që...

SHBA, Gjykata Supreme iu jep hov republikanëve në Teksas, pezullon vendimin që ndalonte hartën e re zgjedhore

25
0

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara pezulloi të premten vendimin që bllokonte hartën e re të zonave zgjedhore në Teksas, duke i hapur rrugë përpjekjeve të republikanëve për të siguruar më shumë vende në Kongres në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor 2026. Vendimi i organit më të lartë gjyqësor të vendit, ku konservatorët gëzojnë shumicën, vjen vetëm pak orë pasi Teksasi kërkoi përdorimin e hartës së re në pritje të shqyrtimit të plotë të çështjes.

Urdhri i nënshkruar nga gjyqtari Samuel Alito pezullon përkohësisht një vendim federal të së martës që e rrëzonte hartën zgjedhore si “manipulim zgjedhor racial”. Kundërshtarët e hartës së re kanë afat deri të hënën për të paraqitur përgjigjen e tyre, ndërsa Gjykata Supreme pritet të vendosë nëse do të lejojë përdorimin e saj përfundimisht. Vendimi i gjykatës së shkallës së parë më 18 nëntor argumentonte se rivizatimi i zonave zgjedhore në Teksas diskriminonte votuesit me ngjyrë dhe hispanikë, të cilët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë në këtë shtet tradicionalisht republikan. Ajo gjykatë kishte urdhëruar rikthimin e hartës së vitit 2021 për zgjedhjet e vitit 2026.

Rivizatimi i hartave zgjedhore është kthyer në një betejë të hapur politike në prag të zgjedhjeve të ardhshme të mesmandatit. Presidenti Donald Trump u ka bërë thirrje shteteve të kontrolluara nga republikanët të rishkruajnë kufijtë zgjedhorë për të rritur epërsinë e tyre të ngushtë ndaj demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, ku aktualisht avantazhi i republikanëve është 219 me 214 vende. Teksasi synon të sigurojë deri në pesë vende shtesë për republikanët, ndërsa demokratët po ndjekin të njëjtën strategji në Kaliforni, ku një referendum i këtij muaji synon të sigurojë pesë vende të reja për partinë e tyre në shtetin më të populluar të vendit. Procese të ngjashme të ridistriktimit po zhvillohen edhe në shtete të tjera, duke reflektuar intensitetin e garës ndërpartiake.

Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme i jep republikanëve një frymëmarrje të rëndësishme në betejën për kontrollin e Kongresit, ndërsa çështja në Teksas pritet të mbetet në qendër të vëmendjes në muajt e ardhshëm.