Detaje të reja janë zbuluar nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës, që dërgoi për gjykim tre persona.
Arlind Papa, Genc Demiro dhe Migena Xibinaku janë tre personat të cilët do të gjykohen, në lidhje me ngjarjen e konstatuar në zgjedhjet e 11 majit.
Arlind Pepa është personi i cili mbante një badge, e cila dyshohet se ishte e falsifikuar.
Migena Xibinaku, me detyrë specialiste e protokollit të KQZ-së, dyshohet se ka qenë personi që ka vulosur dokumentin, mësohet nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Në dosje zbulohet se ajo ka treguar se nuk mban mend ta ketë vulosur ajo dokumentin, i cili rezultoi falso.
Arlind Pepa ishte vëzhgues i PS-së, i cili u paraqit në në qendrën e votimit në shkollën “9-Vjeçare Vorë”, si vëzhgues brenda dhe jashtë.
“Detyra ime është të firmos edhe dokumentet. Nuk mbaj mend ta kem vulosur, pasi më vinin shumë dokumente të tilla. Genc Demiro, i cili ka shkuar për të marrë manualet e përdorimit të materialeve të KQZ, mund të jetë paraqitur për vulosje. Vula e madhe qëndron në kasafortë…”, mësohet të ketë thënë Migena Xibinaku.
Badge lëshohet vetëm nëse ke kontratë punë në KQZ dhe nuk je person i jashtëm. Në dosje thuhet se “ky dokument megjithëse ka vulë të KQZ është i falsifikuar”.
Ndër të tjera zbulohet se Arlind Pepa ka deklaruar se badge e ka marrë nga PS, përkatësisht nga Genc Demiro.







