Ballina Dossier Koçi Xoxe i mori shtëpinë familjes Prifti/Sekretari i “Vatrës” në Amerikë i...

Koçi Xoxe i mori shtëpinë familjes Prifti/Sekretari i “Vatrës” në Amerikë i shkruan Enver Hoxhës për padrejtësinë

47
0

Në fillim të vitit 1947, komuniteti shqiptaro-amerikan u trondit nga një ngjarje e pazakontë që vinte nga Shqipëria. Koçi Xoxe, atëherë një nga figurat më të fuqishme të pushtetit komunist dhe drejtues i strukturave të rendit, kishte zaptuar shtëpinë e familjes Prifti në Rehovë të Kolonjës, duke e dëbuar familjen nga banesa e tyre dhe duke vendosur brenda ushtarë të shtetit.

Ky veprim i strukturuar si “urdhër Komande” u bë shkak që Peter (Pandeli) R. Prifti, sekretar i organizatës patriotike “Vatra”, profesor i gjuhës në SHBA dhe figurë e njohur e diasporës shqiptare, t’i drejtohej personalisht Enver Hoxhës, atëherë kryeministër i Shqipërisë. Ai i dërgoi dy letra të gjata, ku i raportonte atë që e quante “një padrejtësi të turpshme”, një abuzim që “fëlliq emrin e Republikës”.

Letrat

Në letrën e parë, Prifti i shkruan Hoxhës se më 6 janar 1947 Komanda e Kolonjës, nën drejtimin e Koçi Xoxes, zbatonte planin për të nxjerrë jashtë familjen e tij dhe për të vendosur ushtarët në shtëpitë e tyre.

Ai përshkruan se gjendja është aq absurde sa katër anëtarë të familjes bashkëjetojnë në një dhomë të vetme, ndërsa të dyja shtëpitë – e reja dhe e vjetra – janë zënë nga ushtria.

Prifti pyet në mënyrë të drejtpërdrejtë: “Ç’faj kishte bërë familja jonë që të meritonte një dënim të këtillë? A mos ishte fajtor vetëm se u lëshoi ushtarëve një shtëpi të tërë pa marrë asnjë shpërblim nga shteti?”

Ai e akuzon Koçi Xoxen se vepron si “i pajisur me fuqi të pakufizuar”, duke shkelur ligjin, të drejtat e popullit dhe reputacionin e shtetit. Për Priftin, ky është një akt që dëmton rëndë nderin e qeverisë në sytë e shqiptarëve të Amerikës: “Kjo mënyrë e Komandës shkel të drejtat civile dhe fëlliq emrin e Republikës Shqiptare që u krijua për të dhënë Liri Popullit.”

Ai i kujton Hoxhës se diaspora shqiptare, përfshirë familjen e tij, ka kontribuar me fonde dhe besim te qeveria e re, duke përmendur edhe fushatën humanitare ku u mblodhën mbi 2000 dollarë.

Por përballë kësaj padrejtësie, ai pyet me ton të ashpër: “Si mund të vazhdojmë neve përkrahjen tonë, kur Komanda në Kolonjë na shpërblen me vepra armiqësore?”

Letra e dytë është edhe më e mprehtë. Prifti tregon se veprimi i Xoxes ka poshtëruar “nderin e lartë shqiptar”, pasi ushtarët janë vendosur në një mënyrë që bie ndesh edhe me etikën, moralin dhe zakonet e vendit.

Ai shkruan se Koçi Xoxe “fut burra të rrojnë në një strehë me tri gra”, një situatë që ai e quan të papranueshme: “Jam i mendjes se gjëra të këtilla nuk kanë vend sot në Shqipëri.”

Në këtë letër, zhgënjimi i diasporës arrin kulmin. Prifti i thotë Hoxhës se, përderisa familja e tyre po trajtohet si armike, atëherë: “Të lutem, jepna lejen të dalin jashtë nga Shqipëria.”

Ky është një apel i fortë që tregon se padrejtësia e bërë nuk është vetëm çështje pronësie, por një cenim i rëndë dinjiteti, lirie dhe morali.