Një incident i shëmtuar është regjistruar në pjesën e dytë të ndeshjes mes Partizanit dhe Vllaznisë në stadiumin “Arena e Demave”.
Në minutën e 70 të takimit, një gotë birre e fluturuar nga tribuna ku gjendeshin një grup tifozësh të Vllaznisë, goditi gjyqtarin e katërt, Albano Stolaj, i cili në ato momente gjendej mes dy pankinave të skuadrave.
Gjyqtari i tronditur u ul në stolin e skuadrës së Partizanit, i ndihmuar nga stafi mjekësor, ndërsa më pas edhe kryesori Cjapi ndaloi ndeshjen duke mbledhur përfaqësues të dy skuadrave dhe duke bërë të qartë se do pezullonte takimin nëse do të kishte ndonjë ngjarje tjetër të ngjashme.
Ai rifilloi takimin pasi mori konfirmimin nga Stolaj se mund të vazhdonte të kryente detyrën e tij.







