Ballina Opinion Pse kërkesa e Ramës në Gjykatën Kushtetuese nuk është thjesht procedurë, por...

Pse kërkesa e Ramës në Gjykatën Kushtetuese nuk është thjesht procedurë, por sinjal i një lufte të hapur me drejtësinë

37
0

Nga Desada Metaj

Edi Rama e beri zgjidhjen e tij. Ai ka dorezuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese. Kamuflimi përmes ndjekjes së rrugës institucionale në GJK nuk është gjë tjetër veçse dalja përballë drejtësisë së re, mosrespektimi i verdikteve të saj dhe, më shumë se kaq, një zbritje në fushë të hapur në mbështetje të pandëshkueshmërisë.

Që të jemi të qartë: në pamje të parë, t’i drejtohesh institucioneve – në këtë rast GJK-së – duket si sjellje institucionale. Dhe, në dukje, kjo është e vërtetë. Kjo linjë nuk ka lidhje me “veprimet arbitrare kundër drejtësisë” (referuar p.sh. sjelljes së Berishës më 21 janar, kur refuzoi urdhrat e prokurorisë për ndalimin e gardistëve). Nuk ngjan as me “betejën retorike”, që e skualifikoi si variant, edhe pse këtë të fundit e ka përdorur rëndom kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve me emër e mbiemër (kujtojmë prokuroren dhe gjyqtarin që kishin dhënë vendimet në rastet e kundërshtimeve të IKMT-së ndaj prishjeve abuzive të ndërtimeve nga Rama). Në të gjitha rastet këto kanë qenë fasada e zakonshme e Edi Ramës.

Në thelb, investimi i tij në Gjykatën Kushtetuese është “t’i vësh gjoksin” mbrojtjes së Ballukut duke shpallur SPAK-un dhe GJKKO-në si armik, si kundërshtar që duhet mposhtur, sepse – sipas siç thotë vetë ai – “pezullimi nga detyra i një ministri, në këtë rast edhe zv.kryeministrit, drejtpërdrejt për drejtimin e qeverisë, është shfaqje e dobësive të një pushteti krejt të ri dhe reflekseve antidemokratike. Rast unikal në historinë e Europës dhe të trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në proceset e integrimit. S’ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë e të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie.”

Etiketimet e tij ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK-ut si “të paaftë”, “të rinj me reflekse antidemokratike”, “vendim flagrant”, apo përcaktimi i kufijve se deri ku drejtësia e re mund të shkojë dhe ku ajo nuk duhet të prekë, tradhtojnë motivin e vërtetë që e shtyn në këtë ndërmarrje.

Në aspektin ligjor, kjo nuk është dhe nuk mund të jetë beteja e Ramës. Është e Ballukut. Ajo është e pandehur, ajo është nën procedim penal dhe nën masën e pezullimit. Ajo duhet ta bëjë këtë betejë ligjore – si shumë të tjerë, njerëz të afërt me Ramën, që e kanë bërë të njëjtën gjë. Është bërë tashmë ikonike thënia e Ramës se kush ka probleme me drejtësinë, t’i zgjidhë vetë, se nuk janë halle të PS-së. Ndërkohë, tani paska qëlluar që halli i Ballukut qenka edhe i Ramës. Vetë investimi i tij i drejtpërdrejtë e dëshmon këtë.

Pse qenka ndryshe këtë herë?

Shtatë orët e takimit kokë më kokë në Kryeministri janë pak si shumë për të studiuar Kushtetutën apo Kodin e Procedurës Penale. Për më tepër, prezenca e Ulsiut duhet ta ketë qartësuar situatën juridike në fraksion sekonde, për shkak të njohurive të tij të spikatura si ish-prokuror, ish-ministër Drejtësie dhe aktualisht kryetar i Komisionit të Ligjeve. Ulsiu duhet ta ketë kuptuar tashmë se ndërmarrja e trajektores së ankimit në GJK është më shumë akt politik sesa akt juridik.

Është akti me të cilin shefi më i lartë politik në Republikë i ofron mbrojtje vartëses besnike, si shpërblim për luajalitetin fanatik që ajo ka treguar ndaj tij. Luajalitet që tani kërkon shpagim. Dhe kjo shpjegon investimin politik in primis personae të Ramës.

Megjithatë, nuk dihet nëse Ulsiu ia ka shpjeguar (nëse gjithmonë e ka kuptuar vetë) Ramës gjithë trajektoren që ky meandër juridik ngërthen. Gjithsesi, Rama ka bërë analizën e tij intuitive për secilin nga dy rezultatet e pritshme në GJK.

Rezultati i parë: rrëzimi i kërkesës.

Sjellja e deritanishme e GJK-së për çështje të ngjashme e sugjeron këtë. Rasti kur 1/5 e deputetëve të Berishës iu drejtuan GJK-së me pretendimin se ndalimi i daljes nga vendi në dosjen “Partizani” ishte i paligjshëm, përfundoi me rrëzim.

Edhe pretendimi i Ramës për konflikt kompetencash, i ngjashëm me Berishën, duket i pambështetur. SPAK nuk i ka uzurpuar asnjë kompetencë Kryeministrit. Kryeministri, në raport me statusin e ministrit, ka vetëm dy kompetenca: propozimin e emërimit dhe propozimin e shkarkimit. SPAK as nuk e ka emëruar zonjën Balluku dhe as e ka shkarkuar atë. Ajo vazhdon të jetë ministre e zv.kryeministre, por e pezulluar për shkak të parashikimit të nenit 242/2 të Kodit të Procedurës Penale. Nuk ka çfarë t’i uzurposh Kryeministrit në këtë pikë, e për pasojë as që mund të ketë konflikt kompetencash me të.

Së dyti, nëse Rama pretendon se Kryeministri përcakton statusin juridik të ministrit (emërim/shkarkim) dhe se kësaj procedure i është ndërfutur SPAK-u, kjo nuk qëndron: “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës” – thotë neni 98/1 i Kushtetutës. Kryeministri ka vetëm të drejtën e propozimit. Pra “pronësia” mbi ministrin ndahet mes Presidentit, Kryeministrit dhe Kuvendit.

E nëse dikush pretendon se SPAK i është ngatërruar nëpër këmbë kësaj triade, atëherë do duhej që njëkohësisht të tre duhet të ishin bërë bashkë e të kishin ngritur këtë mosmarrëveshje kompetencash. Aktualisht, as Presidenti e as Kuvendi nuk duket se pretendojnë që dikush iu ka uzurpuar ndonjë kompetencë.

Së treti, kushdo e kupton se ky marifet gjoja kushtetues nuk është gjë tjetër veçse një “ankim i kamufluar” direkt në GJK, duke anashkaluar rrugën normale: ankimin në Apel, pastaj në Gjykatën e Lartë dhe më pas në GJK – siç e kanë ndjekur të tjerët. E kushdo e kupton se ky kapërcim, kërcet.

Pa paragjykuar vendimin e GJK-së, duket qartë se kjo linjë juridike e Edi Ramës është e dobët dhe me shumë gjasë e pasuksesshme. Edhe sikur, përmes metodave që ai di, të vendoste nën presion GJK-në dhe të triumfonte, në publik do mbetej shija e hidhur se gjithçka ishte vepër e Kryeministrit dhe se “fitorja” e Ballukut do të kishte kosto politike të madhe, sepse do të ishte e qartë se presioni politik do të kishte funksionuar.

Për më tepër, një fitore e tillë do t’i jepte SPAK-ut justifikimin e plotë që në këtë eventualitet të kërkonte më pas masën e “arrestit në burg” apo “arrest në shtëpi”, si variante që nuk kanë asnjë keqkuptim kushtetues – për më shumë edhe si standard i njëjtë me rastet Meta, Veliaj, Bllako, Beqja and co.

Prandaj, do të ishte mediokritet i rëndë që Rama apo këshilltarët e tij – ndër ta edhe Ulsiu – të mos i kenë parashikuar këto efekte kaskadë. Por me shumë gjasë, më tepër sesa këshillave të juristëve, Rama i beson intuitës së tij. Dhe e kupton se vetëm për fatin e Ballukut nuk do t’ia vlente një investim i tillë.

Shpjegimi më logjik është i thjeshtë: Rama i ka treguar Ballukut se, përballë luajalitetit të saj të verbër, ai bëri maksimumin e vet duke u investuar personalisht – por pa garanci suksesi. Pas kësaj, do ndjehej i çliruar nga detyrimet karshi Ballukut.

E panjohura është se sa e pranon vetë Balluku këtë “sakrificë” të Ramës. Është e kuptueshme që interesi i vetëm i saj është të mos “shkëputet nga duart” e Ramës dhe të bjerë në duart e prokurorëve, sepse e di fare mirë se fati i saj pas kësaj do të jetë, të themi, si ai i Veliajt, Metës, Beqajt etj. Kjo mbetet për t’u parë.

Varianti i dytë (më pak i kuotuar, por jo i pamundur): pranimi i kërkesës.

Rama është investuar në GJK jo vetëm si detyrim miqësor ndaj Ballukut, por sepse parashikon se praktika e pezullimit mund të aplikohet, me të njëjtin standard, edhe ndaj figurës së Kryeministrit.

Statusi juridik i ministrit dhe zv.kryeministrit është i njëjtë me atë të Kryeministrit: pra është funksion shtetëror i pezullueshëm sipas nenit 242/2 të Kodit të Procedurës Penale.

Dhe vetëm ai dhe Balluku e dinë sa i përfshirë është ai në çështjen për të cilën procedohet ajo. Ose qoftë edhe në ndonjë çështje penale tjetër të ngjashme, aktuale apo të ardhshme.

Në këtë rast, ai po i paraprin fatit të vet: nëse i imponon GJK-së një standard të ri (pra që anëtarët e Këshillit të Ministrave nuk pezullohen nga SPAK), atëherë nuk përfiton vetëm Balluku sot, por çdo ministër – dhe mbi të gjithë vetë ai si Kryeministër, nesër. Një fitore e rëndësishme, e vlefshme për të.

E nëse është vërtet ky varianti më i kuotuar, atëherë ia vlen barra qiranë që ai të imponohet me çdo mjet e mënyrë kundër Gjykatës Kushtetuese.

Deklamimi publik i kësaj iniciative, edhe nën vështrimin e Marta Kos, përmbante dozat e duhura të seriozitetit për këtë angazhim.

Në këtë optikë ndoshta merr kuptim edhe zvarritja dy mujore për uljen në karrigen e gjyqtarit të ri të GJK-së, Asim Vokshi. Komoditeti me gjyqtaren kryetare të Gjykatës Kushtetuese, në ikje, Holta Zaçe, dhe pengesat e pakuptimta të ardhjes së gjyqtarit të ri (që ndoshta prish ekuilibrat e brishtë brenda gjykatës), mund të jenë pjesë e këtij skenari.

Ky është ekuacioni që i shkon për shtat asaj që thamë në krye: luftë finale me drejtësinë, pa doreza. Presioni publik mbi GJK do të jetë i lartë, e kjo është e kuptueshme. Bashkë me të edhe presione të natyrave të tjera. Ndaj, është testi i radhës për Gjykatën Kushtetuese – që, ashtu si SPAK-u, GJKKO-ja dhe Gjykata e Lartë, duhet të tregohet në lartësinë e detyrës. Të paktën, GJK nuk mund të ankohet se nuk është paralajmëruar për rrezikun.