Ballina Rajoni “Safarët e snajperëve në Sarajevë – Italia mund të kërkojë arrestimin e...

“Safarët e snajperëve në Sarajevë – Italia mund të kërkojë arrestimin e Vuçiç”

0
13
Duke folur në emisionin Balkan Talks në Euronews Albania, ish-zëvendësministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Agim Nuhiu, komentoi polemikat që kanë shpërthyer për termin “safari i snajperëve të Sarajevës”.
Ky term i referohet akuzave ndaj forcave serbe gjatë rrethimit të Sarajevës në kohën e luftës, për përfshirjen e snajperistëve të huaj që godisnin civilë, përfshirë fëmijë.
Sipas Nuhiut, Italia mund të kërkojë arrestimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, nëse ekzistojnë prova për përfshirjen e tij.

Ai iu referua publikimeve të fundit në rrjetet sociale sipas të cilave Vuçiç, atëherë një vullnetar i ri, ishte i pranishëm në një pikë ushtarake në Sarajevë ku kishte snajperistë të huaj dhe njësi ultra-nacionaliste serbe.

“Flitet se kjo dosje ka kaluar te njësia që merret me hetime komplekse në Itali. Autoritetet italiane kanë tagrin për të hetuar dhe shtetas të huaj. Në këtë rast, duhet të jepet një përgjigje për pozitën e presidentit Vuçiç, a ka përdorur armët, a ka qenë i përfshirë, a ka ndihmuar ose, siç thuhet, ka shërbyer si përkthyes për të huajt që morën pjesë. Ky hetim duhet të bëhet dhe, nëse ka prova, Italia mund të lëshojë urdhër-arrest, i cili sigurisht nuk do të ekzekutohet në Serbi, por mund të jetë aktiv në vendet evropiane partnere të Italisë,” tha Nuhiu.

Sipas tij, gjithashtu hetuesit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare duhet të përfshihen, pasi shqetësimi publik për këtë çështje duhet të qartësohet. Nuhiu tha se një prokuror ndërkombëtar mund të hapë një çështje dhe nuk duhet të presë që të tjerët ta detyrojnë për këtë.

“Hetuesit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare duhet të vihet në lëvizje në mënyrë që shqetësimi që ka përfshirë opinionin publik të qartësohet. Prandaj, një prokuror i kësaj gjykate duhet të hapë një çështje dhe të mos presë që të tjerët ta detyrojnë. Po ashtu, Italia mund të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare zhvillimin e hetimeve,” tha zoti Nuhiu.

Denoncimi i fundit erdhi nga shkrimtari italian Enzio Gavancerri, i cili ka mbledhur materiale për dyshimet mbi trafikun e “turistëve të luftës” që udhëtonin nga Trieste në Beograd dhe pastaj në Sarajevë, me mbështetjen e forcave serbe.

Më shumë se 10,000 njerëz u vranë në Sarajevë nga bombardimet dhe zjarrtë e snajperistëve mes viteve 1992 dhe 1996, gjatë rrethimit më të gjatë në historinë moderne, pas shpalljes së pavarësisë së Bosnjë-Hercegovinës nga ish-Jugosllavia.