Arabia Saudite po përgatitet të hapë dy dyqane të reja të alkoolit, si pjesë e liberalizimit të vazhdueshëm social të vendit.
Një prej dyqaneve do të vendoset në provincën lindore të Dhahran, brenda një kompleksi të kompanisë shtetërore të naftës, Aramco.
Ky dyqan do t’u shërbejë punonjësve të huaj jo-myslimanë të Aramcos, sipas burimeve nga autoritetet saudite. Burime të tjera thonë se një dyqan i tretë për diplomatët e huaj pritet të hapet në qytetin bregdetar të Jeddah.
Të dy pikat e reja të shitjes synohet të hapen në vitin 2026, edhe pse afate zyrtare nuk janë publikuar ende. As Aramco dhe as zyra qeveritare e komunikimit nuk kanë komentuar mbi planet e reja.
Dyqani i parë zyrtar i alkoolit në vend u hap vitin e kaluar në zonën diplomatike të Riadit, pas 73 vitesh ndalim. Kohët e fundit, klientëve të atij dyqani iu shtuan edhe mbajtësit jo-myslimanë të lejes saudite, Premium Residency.
Para kësaj, alkooli gjendej vetëm përmes postës diplomatike, tregut të zi ose prodhimit në shtëpi. Reformat e princit të kurorës Mohammed bin Salman kanë përfshirë ndryshime të thella sociale, si lejimi i ngasjes të mjeteve për gratë dhe hapja e eventeve publike.
Megjithatë, autoritetet saudite po veprojnë më ngadalë në çështjen e legalizimit më të gjerë të alkoolit, veçanërisht në resorte turistike. Ministri i Turizmit ka deklaruar se kërkesat e turistëve ndërkombëtarë kuptohen, por se deri tani nuk ka ndryshime zyrtare në politikën për alkoolin.







