Ballina Aktualitet Dosjet e ‘nxehta’ në SPAK, Dumani trondit Brukselin: Ka patur kërcënime dhe...

Dosjet e ‘nxehta’ në SPAK, Dumani trondit Brukselin: Ka patur kërcënime dhe presione nga politika dhe krimi

30
0

Kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë vizitës në Bruksel në Qendrën Evropiane të Politikave ka folur për vështirësitë gjatë punës në SPAK.

Dumani theksoi se ka patur kërcënime dhe presione si nga politika ashtu dhe nga krimi i organizuar.

“Vështirësitë kanë qenë të shumta. Kujtoj këtu që SPAK është një institucion i ri, ne në dhjetor mbushim gjashtë vjeç, dhe gjashtë vite për një institucion janë pak.

Vështirësitë kryesore kishin të bënin me organizimin e institucionit, me bërjen e tij funksional. E kemi filluar në vitin 2019, vetëm me tetë prokurorë, në mungesë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe në mungesë të stafit administrativ, ndërkohë që ishte edhe periudha e COVID-it. Këto ishin vështirësi teknike, organizative dhe operative.

Një vështirësi tjetër ishte presioni i madh publik, pasi SPAK shihej, që prej krijimit, si një shpresë për funksionimin e institucioneve dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ndërsa pritshmëritë ishin të mëdha, mundësitë tona reale ishin të kufizuara.

Po ashtu, sfidë e rëndësishme ishte menaxhimi i presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme që vinin drejt prokurorisë dhe prokurorëve të posaçëm, nga politika, nga media, por sidomos nga krimi i organizuar. Megjithatë, prokurorët e SPAK kanë përvojë dhe janë të përgatitur për t’i përballuar këto presione, pavarësisht nga vijnë ato. Secili ka një përvojë të admirueshme dhe janë profesionalisht të maturuar.

Një sfidë tjetër ishte krijimi i besimit tek partnerët ndërkombëtarë. Deri në vitet 2020–2021, institucionet shqiptare shiheshin me mosbesim, ndaj ndërtimi i këtij besimi ka qenë një proces shumë i vështirë. Sjell një shembull: në vitin 2021, kur isha shef i seksionit kundër krimit të organizuar, prita një delegacion nga një vend anëtar i Bashkimit Europian, i cili ishte shumë skeptik sa i takon bashkëpunimit me institucionet shqiptare.

Kishte ardhur për të ekzekutuar një letër-porosi të rëndësishme, por në bisedë dallohej qartë se nuk ishte i hapur dhe nuk ishte plotësisht i sinqertë për atë që kërkonte të ndërtonte në të ardhmen. I thashë shprehimisht:

“Ju të paktën njëherë duhet të na jepni besim të plotë. Na vini në provë, dhe nëse nuk e justifikojmë këtë besim, atëherë keni të drejtë të mos bashkëpunoni me ne.” Ky ka qenë një proces shumë i vështirë sepse mosbesimi ishte i madh, por duke bashkëpunuar ditë pas dite, besoj se e kemi kaluar edhe këtë pengesë. Sot kemi një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha institucionet e vendeve të Bashkimit Europian dhe më gjerë”, ka deklaruar Dumani.