Ballina Ekonomia Edhe Vipat nuk paguajnë, 238 tatimpagues të mëdhenj kanë detyrime prej 8...

Edhe Vipat nuk paguajnë, 238 tatimpagues të mëdhenj kanë detyrime prej 8 miliardë lekësh në tatime

24
0

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një analizë të detajuar mbi situatën e borxhit tatimor në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, duke zbuluar një nivel të lartë detyrimesh të pashlyera edhe në rradhët e bizneseve VIP.

Sipas raportit, në fund të vitit 2024, numri total i tatimpaguesve të mëdhenj me borxh rezultoi 238, duke përfshirë si subjekte aktive, ashtu edhe pasive. Shumica e borxhit buron nga 232 tatimpagues aktivë, me një vlerë detyrimesh prej 8 miliardë lekë, ndërsa 6 tatimpagues pasivë mbajnë një borxh shumë më të ulët, në masën rreth 118.8 milionë lekë, çka tregon se subjektet e mbyllura apo të pezulluara nuk paraqesin peshë në strukturën e borxhit.

Raporti evidenton se borxhi tatimor i vitit 2024 është i përqendruar kryesisht tek bizneset e mëdha, ndërmarrjet shtetërore dhe entet buxhetore. 45 biznese të mëdha zënë pjesën më të madhe të borxhit. Prej kësaj shume, vetëm ndërmarrjet shtetërore përbëjnë 4.6 miliardë lekë, ose 56% të borxhit të kësaj kategorie. Nga ana tjetër, entet buxhetore kanë një borxh relativisht të vogël, në nivelin 186 milionë lekë, ose 2% të totalit.

Analiza tregon se detyrimet e papaguara janë të përqendruara kryesisht tek Tatimi mbi Fitimin dhe TVSH-ja. Për Tatim Fitimin, në 31 dhjetor 2024 rezultojnë: 420 milionë lekë principal, 3.6 miliardë lekë gjoba dhe 1.3 miliardë lekë interesa, ku gjobat zënë 67% të totalit. Edhe tek TVSH-ja vihet re e njëjta tendencë: 459 milionë lekë principal, 1.2 miliardë  lekë gjoba, 98 milionë lekë interesa, me gjobat që zënë 68% të borxhit të kësaj takse. Tatime të tjera, si sigurimet shoqërore dhe tatimi në burim, kanë ndikim më të ulët në stokun total.