Nga Eduard Zaloshnja
Vjet ndërruan jetë 22102 shtetas në Shqipëri. Nga këta, vetëm 3% vdiqën prej shkaqesh jonatyrale – gjithsej 633 vdekje jonatyrale. Ndër vdekjet jonatyrale, 199 ishin nga vetvrasjet, 44 nga vrasjet, dhe 390 nga aksidente të ndryshme – rrugore, ujore, pune, zjarri, alpinizmi, helmimi, etj.
INSTAT ende nuk ka nxjerrë statistika rreth shkaqeve të vdekjeve për këtë vit (i nxjerr pas mbylljes së vitit). Sidoqoftë, në rrugë operative kam siguruar të dhëna rreth vdekjeve jonatyrale deri më sot, të cilat tregojnë se kanë humbur jetën në mënyrë jonatyrale këtë vit rreth 430 shtetas në Shqipëri.
Në qoftë se vazhdon ky trend deri në fund të dhjetorit, do të shënohet reduktimi më i fortë vjetor i vdekjeve jonatyrale në vendin tonë (përveç vitit të pandemisë, kur u kufizuan ndjeshëm lëvizjet e njerzve jashtë shtëpisë). Dhe reduktimi aktual është pothuaj i njëtrajtshëm për të gjitha shkaqet e vdekjeve jonatyrale.
Le të shpresojmë se ky vit do të mbyllet me sa më pak jetë të humbura nga shkaqe jonatyrale!



