Ballina Lifestyle ​Vdes në moshën 81-vjeçare Jimmy Cliff, legjenda e reggae

​Vdes në moshën 81-vjeçare Jimmy Cliff, legjenda e reggae

14
0

Jimmy Cliff, një nga figurat më të njohura dhe të dashura të muzikës reggae, ka vdekur në moshën 81-vjeçare, raporton BBC.

Ylli i viteve 1960 solli muzikën xhamajkiane në audiencë globale me hite si “Wonderful World, Beautiful People” dhe “You Can Get It If You Really Want”. Roli i tij kryesor në filmin “The Harder They Come” (1972) e bëri reggaen të njohur në Amerikë.

Bashkëshortja e tij, Latifa Chambers, njoftoi vdekjen duke thënë se ai ndërroi jetë për shkak të një krize epileptike të pasuar nga pneumonia. Lajmi u nënshkrua edhe nga fëmijët e tyre, Lilty dhe Aken.

I lindur si James Chambers në 1944, ai u rrit në varfëri në St. James, Xhamajkë, dhe filloi të këndonte në kishë në moshën 6-vjeçare. Në moshën 14-vjeçare, u shpërngul në Kingston dhe mori mbiemrin Cliff. Ai u bë i njohur me këngën “Hurricane Hattie” dhe më vonë me “Wonderful World”, “Beautiful People” dhe Vietnam, kënga e fundit e cilësuar nga Bob Dylan si “kënga më e mirë protestuese e shkruar ndonjëherë”.

Roli i tij në “The Harder They Come” dhe këngët e kolonës zanore, përfshirë “Many Rivers To Cross”, i dhanë atij sukses ndërkombëtar dhe e bënë filmin një simbol të kulturës xhamajkiane.

Gjatë karrierës së tij, ai bashkëpunoi me Rolling Stones, rifitoi sukses në SHBA me “I Can See Clearly Now” (1993), dhe publikoi albumet fituese të “Grammy Cliff Hanger” (1985) dhe “Rebirth” (2012). Në 2010, u fut në Rock and Roll Hall of Fame.

Cliff vazhdoi të performonte deri vonë, duke luajtur në “Glastonbury” (2003) dhe “Coachella” (2010). Në 2003, ai mori Urdhrin e Meritës nga Xhamajka, por gjithmonë vlerësoi lidhjen me fansat mbi çdo nder tjetër.

Për të, “sukses i madh” ishte kur dikush i thoshte se këngët e tij i kanë ndryshuar jetën.