Ish deputeti i opozitës, Lefter Maliqi ka depozituar në SPAK një kallëzim për një tender me vlerë 1 milion euro, për rikonstruksionin e një shkolle, ku klasat pothuajse janë bosh.
Në një prononcim për mediat, ai tha se këtë tender e ka marrë nipi i Sadri Abazit.
“Kallëzimi i sotëm ka të bëjë me 1 mln euro tender rikonstruksion të një shkolle në Havaleas të Kuçovës, ku nuk janë as një e dhjeta e nxënësve, klasat janë bosh. Ky referim ka të bëjë me indicie të qartë publike për manipulim të procedurës së prokurimeve publike, skualifikim fiktiv të operatorëve, krijim të një gare formale dhe jo reale, përcaktim të fituesit dhe devijim të fondeve publike.
Këtë tender e ka marrë nipi i Sadri Abazit, lidhje të qarta politike që ndodhin në Shqipëri. U bënë 2 vite e gjysmë që vijojnë kalvarin me drejtësinë shqiptare”, tha Maliqi.
Maliqi u shpreh me tej se “Meta dhe Berisha kishin vite që kishin lënë detyrën dhe u morën në arrest, kurse Balluku e pandehur, kryeministri nuk e shkarkon dhe detyron SPAK të marrë një vendim për pezullim nga detyra”.







