Ballina Kronika DURRES/ Plagosi me thikë një 15-vjeçar gjatë një konflikti për motive të...

DURRES/ Plagosi me thikë një 15-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta, pranga 14-vjeçarit

19
0

Plagosi me thikë një 15-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet dhe vihet në pranga 14-vjeçari, autori i dyshuar i plagosjes.

Sekuestrohet mjeti prerës që 14-vjeçari kreu plagosjen.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt të ndodhur më datë 25.11.2025, në lagjen nr. 14/1, në rrugën “Lugina e Karavastasë”, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, rezultoi se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi i mitur M. K., 14 vjeç, banues në Durrës, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin E. B., 15 vjeç, duke i shkaktuar atij plagë të rënda. I dëmtuari aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve.

Pas identifikimit të autorit, shërbimet e Policisë kontrolluan në zonë dhe në ambiente të ndryshme, ku pas disa orësh bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit M. K., 14 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.