Ballina Aktualitet Harizi denoncon situatën e rindërtimit në Durrës: Opozita kërkon transparencë, mazhoranca refuzon...

Harizi denoncon situatën e rindërtimit në Durrës: Opozita kërkon transparencë, mazhoranca refuzon komisionin

42
0

Eda Harizi, Anëtare e Këshillit Bashkiak Durrës, u shpreh se gjashtë vite pas tërmetit, procesi i rindërtimit në Durrës vijon të karakterizohet nga rivlerësime të vazhdueshme të dëmeve (DS4/DS5) dhe një mungesë e theksuar transparence.

Sipas saj, opozita në Këshillin Bashkiak ka kërkuar disa herë ngritjen e një komisioni hetimor për të verifikuar përdorimin e qindra milionë eurove fonde, por kjo kërkesë është rrëzuar vazhdimisht nga mazhoranca.

Pjesë nga deklarata:

Si mund të pretendohet që janë përfunduar, ndërkohë kur ato akoma nuk janë bërë të banueshme? Se për aq kohë sa nuk lejohen banorët të futen, u është dhënë çelësi, vetëm çelësi në dorë, por ata nuk futen të jenë, të jetojnë, të banojnë realisht aty, atëherë kuptohet që akoma ato nuk kanë infrastrukturën e duhur që të jenë realisht të banueshme. Për të mos thënë pastaj për pallatet që ju i dhatë edhe në kronikë, që kanë qenë nga DS4 e u bënë DS5, që kanë qenë në proces rivlerësimi ekspertize dhe, siç është shembulli i lagjes numër pesë, kur dolën tetë-nëntë ndërtesa shumëkatëshe, pallate që kaluan në DS5 dhe duheshin shembur, dhe nga këto vetëm njëri është rindërtuar, tjetri është në proces shembje dhe disa të tjerë, janë shtatë-tetë të tjerë që janë akoma në proces rivlerësimi ekspertize: ç’do bëhet me këto, ku do ndërtohen më pas? Edhe banorët ndërkohë ngelën jashtë, u duhet të paguajnë nga xhepi i tyre qiratë e banesave.

Këto pyetje i kemi ngritur dhe i kemi bërë edhe ne në Këshillin Bashkiak; si këshilltarë të opozitës kërkuam që të ngrihej një komision i posaçëm, i cili do merrej me verifikimin e të gjitha fondeve që janë dhënë për rindërtimin: ku kanë shkuar dhe si janë zbatuar këto fonde. Komision i cili nuk u pranua nga shumica e pozitës në Këshillin Bashkiak, por gjithsesi ne kemi bërë denoncimet tona publike, jo vetëm ne por edhe media të tjera investigative, që janë marrë me fondet e rindërtimit dhe që kanë bërë denoncime se këto fonde nuk janë zbatuar siç duhet, nuk kanë shkuar ku duhet apo zvarritjet e ndryshme që po bëhen. Kjo e tregon fakti që banesat nuk po ndërtohen; një pjesë e pallateve nuk kanë filluar akoma ndërtimin, apo që edhe ato që janë ndërtuar akoma nuk kanë infrastrukturën e duhur që të jenë të jetueshme, të banueshme për qytetarët.

Për të mos folur pastaj që ka akoma shkolla që janë në proces, që duhet të ndërtohen, sidomos në zonat rurale apo në periferi të Durrësit, që kur filloi shkolla një pjesë e prindërve dolën e protestuan: “Ku do t’i çojmë nxënësit, fëmijët tanë?”, sepse janë larg banesave. Ishte edhe problemi i transportit, që nuk u sigurohej transporti, që edhe kjo është një problematikë më vete te kjo çështja e shkollave dhe e nxënësve që vazhdojnë të mësojnë me dy turne apo që janë larg banesave.

Ne këtë e kemi ngritur në Këshillin Bashkiak, por është problemi që asnjë përgjigje e saktë, reale, që ku kanë shkuar fondet dhe si do vazhdohet me to, nuk është dhënë. U tha që deri në 2025-ën do kishte mbaruar gjithçka.