Ndarja e parakohshme nga jeta e këngëtarit Shpat Kasapi ka tronditur publikun dhe botën e artit shqiptar. Aktori Rezart Veleshnja, mik i ngushtë i artistit, ka rrëfyer momentet e fundit dhe miqësinë e tyre për emisionin “Breaking”.
Sipas Veleshnjës, Shpati ndodhej në Itali me ish-bashkëshorten, Selvijen, për t’u kujdesur për djalin e tyre, i cili kishte probleme shëndetësore. Paralelisht, këngëtari vazhdonte angazhimet artistike dhe jepte koncerte.
“Shpati ka qenë në Itali me Selvijen për shkak të problemeve shëndetësore të djalit. Ishte i përkushtuar si në koncerte, ashtu edhe te kurimi i të birit,” tregoi Veleshnja.
Ai tha se Kasapi kishte ndjerë shqetësim gjatë një koncerti dhe se gjendja e tij u përkeqësua menjëherë.
“Gjatë një koncerti ndjeu një shqetësim dhe humbi ndjenjat. Selvija u mundua shumë, por nuk mund të bëhej asgjë. Erdhi ambulanca, por… nuk mundën ta shpëtonin,” rrëfeu ai.
Aktori theksoi se Shpati nuk kishte probleme të njohura shëndetësore, ndaj dyshohet për një shkak gjenetik, pasi edhe i ati kishte ndërruar jetë nga atak kardiak.
“Shpati kishte shëndet shumë të mirë. Bënte kontrolle të rregullta dhe kishte nisur të kujdesej për ushqimin. Kam folur me të para dy ditësh disa herë. Ishim duke biseduar edhe për pjesëmarrjen e tij në ‘Big Brother’, mezi po prisja ta shihja aty,” tha Veleshnja me emocion.
Lajmin për vdekjen e mikut e mori nga një shok, ndërsa, siç shprehet, nuk mundi ta besonte menjëherë.
“U desh një moment për ta kuptuar. Tani na mbetet vetëm ta falënderojmë dhe vlerësojmë për gjithë gëzimin që na ka dhënë,” përfundoi aktori.







