Ballina Aktualitet KLSH: Përmbytja e Vlorës në 2024 mund të parandalohej, shkak mospastrimi i...

KLSH: Përmbytja e Vlorës në 2024 mund të parandalohej, shkak mospastrimi i kanaleve

27
0

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit hedh dritë mbi përmbytjet masive që goditën qytetin e Vlorës më 4 tetor 2024, duke zbuluar mangësi të thella në menaxhimin e infrastrukturës së kullimit, mungesë koordinimi institucional dhe probleme serioze teknike në funksionimin e hidrovorëve.

Sipas gjetjeve, Bashkisë Vlorë i janë transferuar disa kanale kulluese që ndodhen jashtë territorit të vet administrativ, ndërsa vetëm godina e hidrovorit i është dhënë në administrim, jo kanali kryesor që çon ujin drejt hidrovorit.

Më tej, shumë prej kanaleve kryesore, si KK2 Akërni, KK3 Akërni dhe KUL Orikum, rezultojnë të papastruara prej më shumë se 15 vitesh, ndërsa disa segmente brenda qytetit nuk janë pastruar për mbi 30 vite, duke u mbushur me aluvione, inerte dhe mbetje të ndryshme.

Problemet nuk ndalen këtu. Hidrovori Akërni, një prej pikave kyçe të mbrojtjes së qytetit, punon pa pompa rezervë, pa gjenerator emergjence dhe me një linjë elektrike të amortizuar, nga e cila furnizohen edhe subjekte private, duke ulur tensionin dhe duke reduktuar aftësinë e pompimit.

Në ditën e përmbytjes, hidrovori ka punuar vetëm me 45% të kapacitetit, ndërkohë që tensioni elektrik nga ora 07:00 deri në 23:00 regjistrohej në nivele problematike prej 360V. Po ashtu, nuk janë kryer investime nga UKV SHA dhe SHRUKV SHA për përmirësimin e sistemit të kullimit gjatë viteve 2023–2024, ndërsa kanalet e planifikuara të pastroheshin nuk janë realizuar, si në Bunavi, Armen dhe Selenicë.

Një tjetër pikë e rëndësishme të raportit lidhet me mosfunksionimin e ndarë të kanaleve të ujërave të ndotura dhe kanalet e ujërave të bardha: në reshje të dendura, punonjësit e Ujësjellës–Kanalizimeve hapin pusetat për të futur ujërat sipërfaqësorë në rrjetin e ujërave të ndotura, duke rritur në mënyrë të shumëfishtë volumin e ujit që duhet të shkarkojnë pompat.

Pjesa dërmuese e pusetave të KUB është jashtë funksionit, e mbushur me mbeturina dhe me dimensione që nuk përballojnë reshjet intensive. Situata është rënduar edhe nga punimet e ujësjellësit të ri, të cilat kanë lënë pas sasi të konsiderueshme inertesh në rrjet.

Përtej problemeve teknike, raporti evidenton mungesë reagimi të duhur institucional. Këshilli i Qarkut Vlorë nuk shpalli gjendjen e emergjencës civile, ndonëse përmbytjet ishin të përmasave të mëdha, ndërsa Kryetari i Bashkisë nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për vlerësimin e dëmeve në banesa, përveç dëmeve në orenditë shtëpiake.  Gjithashtu, nuk është akorduar asnjë fond nga qeveria për këtë situatë. Bashkëpunimi midis institucioneve kyçe: bashkisë, ndërmarrjes së e shërbimeve publike dhe strukturat e ujitjes e kullimit, vlerësohet i dobët dhe joefektiv.

As infrastruktura rrugore nuk u shpëtoi dëmeve: në ByPass-in e Vlorës, reshjet shkaktuan rrëshqitje dherash, ndërsa në rrethrrotullimin hyrës të qytetit, një element projektimi është ndryshuar nga ai fillestar. Në vend të tre tombinove me diametër 1000 mm është ndërtuar një tombino box 2.5 × 1 m, i cili derdhet në një kanal të papastruar, fakt që e bën praktikisht jofunksional në situata reshjesh të dendura.

Raporti i KLSH-së është i qartë: përmbytja e 4 tetorit ishte e parandalueshme. Mosfunksionimi i kolektorëve dhe kanaleve, mospastrimi shumëvjeçar i segmenteve kritike të kullimit, dhe puna me kapacitet të reduktuar e hidrovorëve për shkak të tensionit të ulët dhe mungesës së infrastrukturës mbështetëse, përbëjnë arsyet kryesore të vërshimit të ujërave në qytet. Gjatë auditimit, KLSH thekson se mospastrimi i kanaleve të hapura është “shkaku kryesor” i përmbytjes, ndërsa mungesa e mirëmbajtjes periodike të kunetave dhe pusetave të shiut krijon bllokime të menjëhershme gjatë reshjeve.

Sipas përfundimit të auditimit, nëse infrastrukura kulluese do të ishte funksionale dhe hidrovorët do të punonin me kapacitet të plotë, rreziku i përmbytjes do të ishte minimal. Për këtë arsye, KLSH e konsideron pastrimin dhe rehabilitimin e sistemit të kullimit si një detyrë urgjente dhe të pazëvendësueshme për sigurimin e qytetit nga ngjarje të ngjashme në të ardhmen.